Foto: KALLXO.com

Gjykimi i të akuzuarve për këmbimin e pronës publike, aprovohet propozimi i mbrojtjes për leximin e padisë së Komunës së Prizrenit

Të akuzuarit Arben Krasniqi dhe Shqipëron Krasniqi më 18.11.2024 janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me akuzat e Prokurorisë.

Të pandehurit po akuzohen se kanë bërë këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe aktvendimin e Gjykatës së Prizrenit.

Në seancën e sotme është aprovuar propozimi i mbrojtësit të të akuzuarit Arben Krasniqi, avokatit Driton Shehu, për leximin e padisë e cila është parashtruar nga ana e Komunës së Prizrenit.

“Propozoj që Gjykata zyrtarisht të kërkojë nga Departamenti i Çështjeve Civile rastin që ka të bëjë me padinë e ushtruar nga ana e paditësit- Komuna e Prizrenit” – tha avokati Shehu.

Ndërsa, propozimi i tillë u mbështet edhe nga palët e tjera në këtë procedurë.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, ka aprovuar propozimin e mbrojtjes.

Por, nuk u bënë të ditura më shumë detaje rreth padisë që u përmend.

Kujtojmë që sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Arben Krasniqi, ish-udhëheqës i sektorit ligjor të Komunës së Prizrenit, dhe i akuzuari Shqipëron Krasniqi,  ish-përfaqësues ligjor i kësaj Komune, pretendohet ta kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Arben Krasniqi dhe Shqipëron Krasniqi akuzohen se në bashkëkryerje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalojnë kompetencat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër.

Aktakuza thotë se Shqipëron Krasniqi si përfaqësues i Komunës në procedurën jashtëkontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës në Prizren, nuk e kishte kundërshtuar propozimin e propozuesit V. J. për rregullimin e mezhdave kundër kundërpropozuesit – Komuna e Prizrenit dhe në këtë rast ngastra kadastrore– pronë e Komunës së Prizrenit, këmbehet me një pjesë të ngastrës kadastrore– pronë e propozuesit V.J., e gjitha kjo në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas të akuzuarit pas pranimit të vendimit nga Gjykata e Prizrenit të datës 30 janar 2019, bëjnë shënim zyrtar sipas të cilit nuk ushtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi dhe lëndën e vendosin  në A/A (adacta/e kryer) dhe pas kësaj propozuesi V.J. pajiset me leje ndërtimore dhe i mundësohet ndërtimi i objektit banesor aneksi i ri.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin mund t’i gjeni në këtë LINK.