I akuzuari Gavrilo Milosavleviq - Foto: KALLXO.com
Gjykimi i të akuzuarit për masakrën në Burgun e Dubravës, dëshmitari: Të burgosurit u fshehën në puseta, edhe aty u hodhën granata dore
Në gjykimin e Gavrilo Milosavleviqit, i akuzuar nga Prokuroria lidhur me masakrën në Burgun e Dubravës, ka dëshmuar dëshmitari i parë.
Milosavleviq po akuzohet se në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Sot, më 11.09.2024, dëshmitari Avdi Mehmeti, duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë, rrëfeu se gjatë majit të vitit 1999 ai kishte qenë i burgosur në Burgun e Dubravës dhe e kishte përjetuar masakrën e ndodhur aty.
Lidhur me ditën kritike dëshmitari rrëfeu se atë ditë disa gardianë në karakolli e kishin thirrur të rreshtohet në fushën e sportit sepse i kishin thënë se dëshirojnë t’i transferojnë në ndonjë burg tjetër dhe ai kishte dalë në oborr.
“Kanë qenë disa rreshta, saktësisht nuk e di sa, mirëpo unë isha në rreshtin e fundit” – tha dëshmitari Avdi Mehmeti.
Tutje gjatë dëshmisë së tij ai bëri të ditur se pas rreshtimit te fusha e sportit kishin filluar gjuajtjet me granata të dorës dhe gjuajta kishte qenë nga jashtë murit brenda burgut.
“Aty kanë pësuar më së shumti ata që kanë qenë në rreshtin e parë” – tha dëshmitari Avdi Mehmeti.
Ai bëri të ditur se atë ditë kishte filluar gjuajtja e radhës, me ç’rast, sipas tij, ishin gjuajtur me pushkë automatike dhe me “Zola”.
“Kush ishin njerëzit që po gjuanin?” – pyeti prokurori Ilir Morina.
“Kanë qenë gardianë të burgut, për këtë jam i sigurt”- ishte përgjigjja e dëshmitarit Avdi Mehmeti.
“Nuk e di sa kanë mbetur të vdekur por unë si person që e kam përjetuar më vjen keq që po manipulohet me numrat e viktimave” – shtoi tutje dëshmitari Mehmeti në seancën e sotme.
Tutje gjatë dëshmisë së tij dëshmitari bëri të ditur se të burgosurit ishin fshehur edhe në puseta, dhe se edhe në puseta u kishin hedhur granata dore.
Ndërsa në fund të dëshmisë dëshmitari Avdi Mehmeti tha se nuk e njihte të akuzuarin Gavrilo, si rrëmbyes të tij dhe se për herë të parë kishte dëgjuar për të në momentin kur ai ishte arrestuar në vitin 2022.
Paraprakisht në seancën e sotme para dëshmisë së dëshmitarit të parë janë dhënë edhe fjalët hyrëse, fillimisht nga prokurori Morina e pastaj nga avokati Dejan Vasiq, i cili është mbrojtësi i të pandehurit Gavrilo Milosavleviq.
Gjatë fjalëve hyrëse, prokurori Morina bëri të ditur se do paraqiten dëshmitarë të cilët do të tregojnë secili individualisht për përjetimet personale në ditën e ngjarjes dhe se gjithsej ka paraparë 21 dëshmitarë.
Ndërsa avokati Dejan Vasic gjatë fjalëve hyrëse tha se Gavrilo ishte kthyer në komunën e Istogut dhe se kishte luftuar për më shumë se dy dekada për t’ia marrë banesën e nënës së tij nga uzurpatori, ndërsa nëna i kishte vdekur në rrethana të panjohura dhe se ai ishte arrestuar në momentin që më në fund kishte marrë pronësinë e banesës.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special nga trupi gjykues në përbërje të Vesel Ismajlit, kryetar i trupit gjykues, dhe dy anëtarët – Arben Hoti dhe Kujtim Krasniqi.
Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit tetor.
Aktakuza ndaj të pandehurit Gavrilo Milosavleviq ishte ngritur me 29.11.2023, ndërsa shqyrtimi fillestar ishte mbajtur më 07.12.2023.
Gjatë shqyrtimit fillestar i akuzuari Milosavleviq pas leximit të aktakuzës nga Prokuroria kishte deklaruar se e ka kuptuar veprën për të cilën po akuzohet mirëpo kishte deklaruar se nuk ndihet fajtor.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, në periudhën kohore 1998-1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, i pandehuri Gavrilo Milosavleviq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore ndaj të burgosurve civilë të nacionalitetit shqiptar.
Sipas aktakuzës, Gavrilo Milosavleviq në bashkëkryerje me njësitë policore serbe kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut, i njohur si fusha e sportit”, të dalin 1 mijë të burgosur, me arsyetimin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje, sipas aktakuzës, menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve njësitë policore serbe i kishin gjuajtur me të gjitha llojet e armëve, si “Kallashnikov”, mitraloz, mortajë dhe armë të tjera, kurse nga mbrapa murit të burgut me granata dore.
Nga ky operacion i vrasjes, i cili kishte filluar nga 22.05.1999 dhe kishte zgjatur deri me 24.05.1999, si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur dhe 108 të burgosur kishin mbetur të plagosur.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarakë serbë kishin shkuar thuajse çdo ditë në pavijonet “B” dhe “C” (pavijonet e Burgut të Dubravës), duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë, duke i ofenduar dhe maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, pa ndonjë arsye, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.
Për këto veprime, i akuzuari Gavrilo Milosavleviq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale – krim i luftës kundër popullsisë civile.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë.
Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
https://www.icty.org/en/case/slobodan_milosevic
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në linkun:
https://www.icty.org/x/cases/milutinovic/acjug/en/140123.pdf
Ky artikull është mundësuar përmes mbështetjes së YIHR KS si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e Internews Kosova dhe nuk reflekton pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ose Nismës së të Rinjve për Të Drejta të Njeriut (YIHR KS).