Foto: KALLXO.com

Gjykimi i të akuzuarit për fajde, i dëmtuari: Deklarata që e kam dhënë në Polici është në tërësi e pavërtetë

Në Gjykatën e Prishtinës në bankën e të akuzuarit është ulur Fehmi Sfishta, i akuzuar për fajde dhe për armëmbajtje pa leje.

Fillimisht, në seancën e 01.08.2024, është dëgjuar ekspertja e Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Valbona Blakaj, e cila tha se i akuzuari Fehmi Sfishta ka qenë i aftë që t’i kontrollojë dhe t’i kuptojë veprimet e veta në kohën e kryerjes së veprës penale.

Në seancë u dëgjua edhe i dëmtuari, Valon Latifi, i cili tha që deklaratën që e ka dhënë në Polici më 17.05.2019 është në tërësi e pavërtetë dhe nuk qëndron prapa asaj deklarate.

“Mua më kanë thirrë Policia, kam qenë nën ndikim të substancave narkotike, borxh i kam marrë Fehmi Sfishtës shumën prej 15 mijë euro, si shok të cilin e kam njohur edhe më herët. Në atë kohë kam qenë duke luajtur kazino dhe nuk e kam ditur çka po bëj dhe më kanë thirrur Policia dhe s’di çka kam dhënë deklaratë” – tha i dëmtuari Valon Latifi.

I dëmtuari Valon Latifi shtoi se ai kishte qenë vegël e Policisë në këtë rast.

“Unë kam qenë vegël e Policisë. Pare me fajde te ky nuk kam marrë se e kam mik, sot hala ia kam borxh 15 mijë euro që ia kam marrë atëherë” – shtoi Latifi.

Tutje, i dëmtuari deklaroi se prej të akuzuarit nuk kishte marrë asnjëherë fajde dhe nuk kishte pasur kurrë presion prej tij dhe asnjëherë i njëjti nuk ia kishte kërkuar të hollat.

Ndërsa mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Muhamet Mehmeti, deklaroi se nuk qëndrojnë prapa ndjekjes penale.

Ndërsa, i dëmtuari Valon Latifi tha se nuk e ndjen veten të dëmtuar.

“Jo, nuk e ndjej veten të dëmtuar, përkundrazi ky është viktimë se nuk ia kam kthyer 15 mijë euro dhe hala ia kam borxh ato pare” – tha Valon Latifi.

Në seancë u administruan edhe provat materiale.

Ndërsa, seanca ka vazhduar edhe me fjalën përfundimtare të prokurorit dhe të mbrojtësve.

Prokurorja Javorka Përlinçeviq në fjalën përfundimtare tha se i dëmtuari Valon Latifi është detyruar për shkak të presionit ta shes banesën e tij, të largohet jashtë vendit dhe sot të ndryshojë deklaratën e tij në gjykatë.

Tutje, Përlinçeviq shtoi se këtë presion edhe sot e përjeton i dëmtuari, i cili është parë edhe në ditën e sotme.

Fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtësi i të dëmtuarit, avokati Muhamet Mehmeti.

Avokati deklaroi se nuk i bashkëngjiten ndjekjes penale, dhe se Valon Latifi nuk ndihet i dëmtuar, dhe se deklarimi i tij në Polici ka qenë i ndikuar nga zyrtarët policorë, dhe i njëjti gjatë deklarimit të tij në Polici ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike.

Tutje, fjalën përfundimtare e ka paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ramiz Krasniqi.

Krasniqi në fjalën përfundimtare e ka cilësuar fjalën përfundimtare të prokurores si një fantazi, dhe ka shtuar se i dëmtuari nuk ka pasur presion  nga i akuzuari dhe as sot në seancë nuk ka pasur një gjë të tillë, pasi që trupi gjykues dhe ai si avokat nuk do ta lejonte një gjë të tillë.

Tutje, avokati Krasniqi shtoi se nuk ka asnjë provë që flet për spekulimin e prokurores, dhe se i njëjti nuk ka vepra penale të kësaj natyre, dhe kërkoi nga trupi gjykues lirimin nga akuza për të akuzuarin Fehmi Sfishta.

Shqyrtimi gjyqësor ka filluar rishtazi për shkak të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues.

Trupi gjykues përbëhet nga Gazmend Bahtiri, Gëzim Ademi dhe Avni Syla.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, në periudhën kohore prej vitit 2014 deri më datë 28.05.2019 në Prishtinë, i pandehuri Fehmi Sfishta të dëmtuarit Valon Latifi disa herë i ka dhënë të holla hua me kamatë mujore prej 6 % deri në 10 % në nivelin mujor dhe gjatë asaj periudhe kohore i dëmtuari të pandehurit në emër të kamatës është dashur t’i paguajë shumën prej 70,000 euro në emër të borxhit për shumat që i ka huazuar  nga i pandehuri, i cili duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë emocionale dhe financiare të të dëmtuarit, ka kontraktuar dukshëm dobi pasurore joproporcionale për vete.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari ka qenë i detyruar që të hyjë në borxh në mënyrë që t’i paguante të pandehurit këstet mujore në emër të kamatës, me çka i pandehuri akuzohet se ka kryer veprën penale – fajdeja.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, më 28.05.2019 rreth orës 13:30 në Prishtinë, të dyshuarit i është gjetur një shufër metalike (e Policisë ) të cilën i dyshuari e ka mbajtur kundërligjshëm me çka ka kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.