Gjykimi i Salih Mustafës në Speciale, Fatmir Sopi përfundon dëshminë

Në gjykimin ndaj Salih Mustafës sot ka përfunduar dëshminë Fatmir Sopi, ish-komandant i Brigadës 153 në Zllash gjatë kohës së luftës.

Sopi sot u është përgjigjur pyetjeve të avokatit Von Bone, mbrojtës i të akuzuarit Salih Mustafa dhe trupit gjykues.

Fatmir Sopi edhe sot para trupit gjykues të Gjykatës Speciale foli për shtrirjen e njësitit BIA në Zllash.

Sopi deklaroi se njësiti BIA ishte vendosur në pikën më të lartë të Zllashit.

Ai sqaroi se ushtarët e rrethit të Prishtinës ishin vendosur në Zllash për shkak të shtrirjes territoriale, sepse Zllashi si pikë ishte afër me Prishtinën, ku ushtarët i kishin familjet.

Tutje ai tregoi se distanca nga shkolla “Avni Rrustemi” deri te zona ku gjendej njësiti BIA ishte 1-2 km.

Gjithashtu dëshmitari Sopi foli edhe për takimet e tij me tani të akuzuarin Salih Mustafa.

“Unë e kam parë shumë herë, kemi qenë bashkëluftëtarë, kemi pasur takime rutinore të ndryshme”, tha dëshmitari Sopi lidhur me takimet me Salih Mustafën.

Mirëpo Sopi tha se gjatë ofensivave nuk kanë mundur të qëndrojnë së bashku me Mustafën për shkak të pozicioneve të tyre dhe kanë komunikuar vetëm përmes radiolidhjeve.

“Gjatë ofensivave nuk kemi mundur të qëndrojmë në një vend me Mustafën”, tha dëshmitari Sopi.

“Në Zllash Mustafën e kam parë shumë herë, kemi qenë bashkëluftëtarë, kemi pasur takime të ndryshme”, vazhdoi ai.

Dëshmitari Sopi deklaroi se gjatë ofensivave kishin qëndruar në mal.

Ai sqaroi për trupin gjykues se kur i referohet termit mal/pyll e ka fjalën për bjeshkë.

“Ne nuk qëndruam me forcat serbe, ne lëvizëm, ne shkuam në pyll, shkuam në shtëpinë e padjegur në mal”, vazhdoi dëshmitari.

Tutje dëshmitari Sopi tregoi se kishin mundur të rezistonin vetëm 3 ditë e më pas ishin tërhequr nga pozicionet mbrojtëse.

“Ofensiva e dytë ka filluar më 18 prill, tri ditë ne kemi rezistuar dhe nuk kemi lejuar depërtimin e tyre në Zllash dhe pasi është tërhequr popullata civile, jemi detyruar t’i lëshojmë pikët tona pasi ata kanë hyrë me tankse dhe artileri të rëndë”, tha ai.

“Serbët i dogjën së pari të gjitha shtëpitë dhe shkuan pothuajse në çdo shtëpi në Zllash, së pari e granatuan shkollën dhe shtëpitë që dukeshin nga kodra e Zllashit të vogël, aty filluan granatimet me topa të vegjël, pastaj ka filluar depërtimi i këmbësorisë së tyre të cilët kanë depërtuar në secilën shtëpi në Zllash”, tregoi dëshmitari Sopi.

E kur u pyet nëse e dinte se serbët a kishin shkuar në vendndodhjen e njësitit BIA dëshmitari Sopi tha se “Nuk e di se çfarë kanë bërë serbët në shtëpinë e familjes Krasniqi, pjesën dërrmuese të shtëpive i dogjën por ka mundur të shpëtojë ndonjë”.

Rruga deri të vendndodhja e BIA-s ka mundur të depërtohej edhe me tanke përmes arave, shtoi Sopi.

Seanca e radhës  do të mbahet më 25 janar 2022 me dëgjimin e dëshmitarit 4484.

Në gjykimin kundër Salih Mustafës dëshmitari “nëse një serb e ka pasur një arsye të vdiste në Kosovë, një ushtar i UÇK-së i ka pasur 100 arsye”

www.kallxo.com