Gjykimi i Sali Mustafës, dëshmitari: “Harrojsha kur kam hangër bukë”

Dëshmitari i parë në gjykimin kundër ish-eprorit të UÇK-së, Sali Mustafës, në Gjykatën Speciale, u mor në pyetje sot nga avokati Von Bone, mbrojtës i të akuzuarit.

Në pyetjen e avokatit se a i kujtohet data kur është arrestuar ose datën kur është liruar, dëshmitari i mbrojtur, i koduar me shifrën 3593, tha se ka qenë data 18 porse muaji nuk i kujtohet.

Kur avokati Von Bone e pyeti se si e di datën 18, me çfarë e lidh këtë datë, dëshmitari tha se “me 18-tin  u ra ofensiva, për atë e di” .

Tutje avokati e pyeti se për cilën ofensivë e kishte fjalën dhe ku ishte kjo ofensivë, e dëshmitari deklaroi se “në Zllash ka qenë ofensiva, për atë arsye na kanë liru”.

I pyetur nëse ka parë me sytë e tij ofensivën serbe, dëshmitari deklaroi se është largu nga Zllashi dhe ka dalë në rrugën kryesore e “aty ka pasë tanke dhe kerre te policisë”.

Dëshmitari u pyet nga avokati Von Bone për qëndrimin e tij në ahurin në Zllash.

I pyetur nga avokati  nëse mund ta prekte tavanin me dorë nëse do të mund të qëndronte në këmbë, dëshmitari u përgjigj: “Unë kam pasë ni mbulesë, u kanë terr, s’kam pa hiç kurrgjë aty”.

I pyetur nga avokati se pas sa kohësh e kanë dërguar nga ahuri i parë në ahurin e dytë, dëshmitari deklaroi se “Atë ditë më kanë dërgu te ahuri i parë pastaj pas një ore e gjysmë më kanë rrahë nja 5-6 orë e më kanë kthyer përsëri në atë ahur deri në mëngjes”.

Kur u pyet dëshmitari se sa herë është ushqyer në Zllash, ai tha se nuk e dinte a nuk ka pasur bukë apo me qëllim nuk i kanë dhënë.

Tutje ai deklaroi se nuk ka ngrënë nga 2-3 ditë.

“Harrojsha kur kam hangër bukë se nga dy-tre ditë s’kena hangër hiç”, tha dëshmitari.

I pyetur se si i dallonte ditët kur kalonin dëshmitari tha se nuk e ka ditur as ku është, as çfarë ditë është, as sa është ora, deri kur ka dalë me datë 18.

Marrja në pyetje e dëshmitarit do të vazhdojë nesër.

Ky dëshmitar ka dëshmuar edhe gjatë seancës së djeshme.