Gjykimi i Qemajl Mustafës

Gjykimi i Qemajl Mustafës, tensione mes mbrojtjes e prokurorisë

Gjykata e Pejës i mblodhi sot 37 të akuzuar për krim të organizuar, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.

Prokuroria pretendon se kompanitë në Gjilan i fitonin tenderët në bazë të kurdisjeve me ish-kryetarin dhe menaxheren e prokurimit dhe po e akuzon grupin prej 37 njerëzve për këtë skemë.

Në seancën e sotme të gjithë u deklaruan si të pafajshëm për veprat për të cilat i akuzon prokuroria.

Aktakuza fillestare pati 39 të akuzuar, mirëpo i akuzuari Behar Mehmeti ka vdekur kështu që gjykata pushoi procedurën ndaj tij, ndërsa procedura gjyqësore ndaj Burim Govorit është veçuar për shkak se i njëjti gjendet në trajtim jashtë vendit.

Prokurori Agron Bajrami, në fjalën hyrëse tha se gjykata do të bindet se të akuzuarit kane bashkëpunuar në kryerjen e këtyre veprave penale.

Ai ndër tjera po ashtu tha se përmes masave te fshehta rezulton qartë  veprimtaria inkriminuese e të akuzuarve.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Qemajl Mustafa, avokati Ismajl Shufta, tha se prokurori po pretendon se është mbi ligjin.

Këtë konstatim të tij, Shufta e mbështeti në atë qe disa herë radhazi është duke kërkuar qe prokurori të dorëzojë ekspertizën financiare, e cila sipas tij është provë shfajësuese për ish- kryetarin Mustafa.

Pas kësaj , Prokurori special Agron Bajrami, pati vërejte në trupin gjykues që  sipas tij e lejoi mbrojtësin, të fyejë institucionin e Prokurorisë se Shtetit dhe atë personalisht.

Sa i përket ekspertizës, prokurori tha se nuk qëndron fakti se ajo është fshehur por që kjo ekspertizë nuk është propozuar si provë, “ngase nuk hyn në provat në të cilat prokuroria e mbështet gjendjen faktike në aktakuzë”.

Prokurori më pas i dorëzoi gjykatës sot ekspertizën financiare me qëllim të administrimit si provë.

Komuna e Gjilanit si palë e dëmtuar në këtë rast, kërkoi dëmshpërblim dhe ndjekjen penale të të akuzuarve.

Në fjalën hyrëse mbrojtësit e të akuzuarve qe kanë qene anëtare të komisionit vlerësues të tenderimit, thanë para Gjykatës se me rastin e administrimit të provave do të vërtetohet pafajësia e klientëve te tyre, dhe atë me arsyetimin se të njëjtit si anëtar të komisionit  nuk kanë pasur kompetenca vendimmarrëse por vetëm rol këshillues apo rekomandues.

Ndërsa mbrojtësit e te akuzuarve, qe janë pronar të operatorëve ekonomik, thanë se aktakuza është e pabazuar dhe do të provohet pafajësia e tyre.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, e ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi kriminal rreth kurdisjes së dhënies së tenderëve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Aktualisht Qemajl Mustafa është kryetar i degës së PDK-së në Gjilan.

Prokuroria pretendon se kompanitë në Gjilan i fitonin tenderët në bazë të kurdisjeve me ish-kryetarin dhe menaxheren e prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se Qemajl Mustafa duke e përdorur fuqinë e tij si kryetar i Komunës ka koordinuar dhe ka qenë në dijeni për të gjitha aktivitetet e prokurimit, me ç’rast ai vendoste edhe për caktimin e anëtareve të komisioneve vlerësuese të dhënies së tenderëve.

Sipas Prokurorisë Speciale grupi në krye në Qemajl Mustafën kishte për qëllim dhënien e tenderëve për kompanitë e ndryshme duke i eliminuar kompanitë me ofertat me të volitshme.

Së bashku me ish-kryetarin Mustafa në këtë proces gjyqësor akuzohen Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Agim Hoxha, Drita Kajtazi, Fadil Osmani, Fatmir Halili, Ganimete Kastrati, Hamdi Ismaili, Hesat Mahmuti, Ibrahim Foniqi, Ilaz Rashiti, Merita Shabani, Muhamet Kastrati, Musa Nasufi, Qefsere Limoni, Selvie Mustafa, Ramush Musliu, Shemsedin Qerimi, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Nazmi Jashari, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani,  Azem Mujku, Zeqirja Fazliu, Basri Kqiku, Mjedin Ahmeti, Naser Mehmeti, Burim Govori, Florim Zuka, Avdyl Pireva, Skender Imeri, Rrustem Hajdari, Asllan Asllani dhe Asllan Syla.

Ndërsa Basri Kqiku, Avdyl Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, akuzohen se kishin për te kryer veprat penale –krimi i organizuar lidhur me veprën penale keqpërdorim i autorizimeve ne ekonomi.

 

Gjykimi i Qemajl Mustafës: Mungon një i akuzuar shtyhet seanca