Zenun Pajaziti në gjykimin në rastin "Pronto". FOTO- KALLXO.com

Gjykimi i “Pronto-s”, merret në pyetje Zenun Pajaziti

Ish- deputeti i Kuvendit të Kosovës për tre legjislatura, Zenun Pajaziti, doli sot para Gjykatës së Prishtinës, në bankën e të akuzuarve.

Pajaziti po akuzohet në rastin e njohur si “Pronto”, kur përgjime telefonike sipas prokurorisë e inkriminojnë Pajazitin si shkelës i statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës për punësime.

“Fillimisht ne kohën e bisedave të përgjuara isha në udhëtim zyrtar me Kuvendin e Kosovës, në Turqi” deklaroi Pajaziti.
Ai i quajti përgjimet të jashtëligjshme dhe nuk pranoi të flasë për bisedat ku ai dëgjohet tek flet për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit për Hidromoravë me ish-deputetin e PDK-së, Adem Grabovci.

“Nuk pranoj të deklarohem rreth bisedës telefonike të datës 6 dhjetor 2011, sepse kjo bisedë është marrë ne mënyrë të kundërligjshme dhe dua ta kursej familjen time”, tha ai.

Ish-deputeti i PDK-së  për trupin gjykues deklaroi se “asnjëherë s’kishte shkelur asnjë ligj të miratuar nga Kuvendi.

Ai foli edhe lidhur me kompetencat e deputetëve në punësime publike.

“Zgjedhja e anëtareve të bordit për ndërmarrje publike nuk është kompetencë e deputetëve, sepse ne votojmë vetëm për zgjedhjen e institucioneve dhe agjencive të pavarura” deklaroi i akuzuari.

Në këtë gjykim të bashkakuzuar janë edhe Adem Grabovci, Besim Beqaj, Ilahmi Gashi, Xhavit Dakaj, Sadat Gashi, Ismet Neziraj, Rexhë Abazi, Njazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, Fatmir Shurdhaj.

Në prill të vitit të kaluar Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në drejtim të veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikëa së Kosovës”.