Foto: KALLXO.com
Gjykimi i Nuredin Lushtakut dhe vëllezërve të tij për incidentin ku u plagos një polic, dëshmitari jep detaje për rastin
Ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, i cili dyshohet se me familjarë ishte përfshirë në incidentin ku kishte mbetur i plagosur një polic i Kosovës, është ulur sërish, sot, në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.
Në korrik të vitit 2022 një polic i Kosovës ishte plagosur në Skenderaj, e për këtë rast të dyshuar janë ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dhe familjarët e tij, Faton dhe Arif Lushtaku.
Në seancën e sotme, 29.07.2024, ka dëshmuar dëshmitari Bajram Behrami, zyrtar policor, i cili ka qenë i pranishëm në momentin e incidentit.
Dëshmitari u pyet edhe nga përfaqësuesi i të akuzuarit Nuredin Lushtaku, avokati Driton Muharrremi.
“Si ka mundësi me ia pa dikujt armën në dorë dhe polici mos me reagu fare? Cilat kanë qenë veprimet konkrete të juajat?” – e pyeti avokati dëshmitarin.
“Ajo pjesë ka ndodhur shpejt. Unë e kam nxjerrë armën dhe kam bërtitur’’ – u përgjigj dëshmitari.
Behramit edhe i akuzuari Nuredin Lushtaku i parashtroi pyetje.
I akuzuari e pyeti dëshmitarin nëse i kujtohej kur ua ka dërguar bllokun e tiketave kolegëve a e ka njohur Arber Lushtakun.
‘’Unë nuk e kam ditur se kënd është duke e dënuar, vetëm ia kam dërguar bllokun’’ – tha dëshmitari Bajram Behrami.
I akuzuari Nuredin Lushtaku e pyeti nëse i kujtohet se a kishte dëgjuar nga kolegu i tij, Enveri, se: “Mos u largoni se qetash vijnë Lushtakët”. Dëshmitari tha se nuk i kujtohej kjo.
Më pas dëshmitarit i parashtroi pyetje edhe përfaqësuesi i të akuzuarit Faton Lushtaku, avokati Arbër Krasniqi.
“Në deklaratën e dhënë në Polici keni deklaruar se ‘Enveri e ka nxjerrë armën zyrtare dhe ka gjuajtur dy herë në ajër me qëllim që të dyshuarit të zmbrapsen’. Sipas këtij deklarimi a do të thotë kjo që polici Enver ka filluar të gjuajë dhe pastaj iu kanë afruar këta?” – pyeti avokati Arbër Krasniqi.
“Këta deri sa kanë qenë duke shkuar afër tij kam parë armën e Enverit nalt dhe ia kam dëgjuar krismen” – u përgjigj dëshmitari Bajram Behrami.
Dëshmitari u pyet edhe nga avokati i të akuzuarit Arif Lushtak.
“Si ke arritur të kuptosh që qëllimi i afrimit te polici Enver ka qenë për ta sulmuar? – pyeti avokati Agnez Furra.
‘’Kështu e kam menduar unë’’ – tha dëshmitari.
Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, mori vendim që seanca e radhës të mbahet më 1 tetor të këtij viti, duke bërë të ditur se do të merren në pyetje dëshmitarë të tjerë.
Rasti në fjalë pretendohet se ndodhi për shkak të shqiptimit të një gjobe trafiku djalit të Nuredin Lushtakut për mosvënie të rripit të sigurisë. Kjo gjobë dyshohet që çoi në përleshje fizike të 3 vëllezërve Lushtaku me dy zyrtarët policorë.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se më 03.07.2022, rreth orës 23:45, në Skenderaj, të pandehurit së bashku i kanë sulmuar zyrtarët policorë E.B. dhe M.G., të cilët duke zbatuar kontrollin rutinë i kanë shqiptuar një tiketë dëshmitarit Arbër Lushtaku për shkak të mosvënies së rripit të sigurisë.
Aktakuza thotë se dëshmitari Arbër Lushtaku kishte thirrur në telefon prindin e tij, Nuredin Lushtaku, i cili vjen menjëherë bashkë me dy vëllezërit e tij, Faton e Arif Lushtaku, dhe fillon të fjaloset me zyrtarët policorë.
“I pandehuri Nuredin Lushtaku fillon të fjaloset me zyrtarin policor E.B. duke iu drejtuar me fjalët: ‘Pse e ke ndalë këtë djalë? Çka është problemi? Çka ka bërë djali?’. Dhe kur i dëmtuari-polici i është përgjigjur se e kemi ndalë për shkak të mosvendosjes së rripit të sigurisë, i pandehuri Nuredin i drejtohet policit: ‘Djali dhe shokët e tij e kanë pasë’, ‘ti je një idiot’. I dëmtuari E.B. i përgjigjet me fjalët: ‘Unë kam respekt për ty’, ndërsa i pandehuri Nuredin ia kthen me fjalët: ‘Nuk më duhet respekti juaj… ta q* nanën” – përshkruhet në aktakuzë.
Tutje në aktakuzë thuhet se pas kësaj zyrtari policor ka njoftuar bazën duke kërkuar ndihmë, dhe në këtë rast të pandehurit Nuredin, Faton dhe Arif Lushtaku i janë afruar të dëmtuarit duke krijuar një hark, të tre kanë nxjerrë armët, ku Nuredin Lushtaku e kishte drejtuar armën në pozitë të gjuajtjes në drejtim të të dëmtuarit E.B.
Sipas dosjes, atëherë i dëmtuari e kishte nxjerrë armën, ishte tërhequr prapa dhe kishte dhënë urdhër verbal: “Ndal!”, “Ndal!” dhe më pas kishte shtënë dy herë me armë në ajër.
Në këtë moment të pandehurit Nuredin, Faton dhe Arif Lushtaku i janë vërsulur të dëmtuarit dhe me dorëz të armëve të shkurta të cilat i mbanin në duar e kanë goditur në kokë të dëmtuarin E.B., i cili nga goditjet është rrëzuar në tokë dhe të pandehurit e kanë goditur me grushte duke tentuar t’ia heqin armën.
“Në atë moment ishte dëgjuar një e shtënë e armës nga e cila ishte goditur i dëmtuari-polici M.G. në këmbë i cili kishte tentuar që t’i ndalë të pandehurit”-shpjegohet në aktakuzë.
Ndërkaq, i pandehuri Faton Lushtaku kishte arritur t’ia rrëmbejë armën policit-të dëmtuarit E.B. dhe në atë kohë arrin edhe polici-dëshmitari, Xh.M., i cili ka tentuar t’ia largojë armën të pandehurit duke i thënë: ‘Mos gjuaj Nuredin! Lëshoje armën!’ si dhe e kishte nxjerrë sprejin dhe ka hedhur në drejtim të të pandehurve.
Në ato momente, sipas Prokurorisë, kishte ndërhyrë edhe polici B.B. duke tentuar t’i largojë të pandehurit nga i dëmtuari, i cili ka dëgjuar të pandehurit duke thënë: ‘Ia morëm armën’ dhe më pas të pandehurit janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjetin e tyre.
Dy policët, sipas Prokurorisë, kanë marrë lëndime trupore nga goditjet dhe arma e zjarrit.
Me këtë të pandehurit, sipas Prokurorisë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – sulmi ndaj personit zyrtar.
Aktakuza Faton, Arif dhe Nuredin Lushtakun i ngarkon edhe për veprat penale – armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast i gjeni duke klikuar në këtë – LINK.