I akuzuari Sami Delijaj - Foto: KALLXO.com / 16.12.2024

Gjykimi i mjekut ortoped për marrje ryshfeti, dëshmitari tregon çka i tha i dëmtuari

Në gjykimin e mjekut ortoped Sami Delijaj, i akuzuar për marre ryshfeti, në seancën e 16.12.2024 ka vazhduar dëshminë dëshmitari Ali Berisha.

Sami Delijaj po akuzohet nga Prokuroria se në cilësinë e mjekut ortoped në QKUK kishte kërkuar nga i dëmtuari Xhevdet Potera shumën 450 euro, kurse pas negocimit ishte pajtuar dhe kishte marrë shumën 300 euro.

Dëshmitari Ali Berisha gjatë dëshmisë së tij deklaroi se të dëmtuarin e njeh që 15 vite dhe se në QKUK e kishte takuar Xhevdet Poterën (të dëmtuarin), i cili pas një operimi i kishte treguar se i pandehuri e kishte udhëzuar që një pajisje mjekësore të cilën i dëmtuari e kishte blerë por që nuk i ishte nevojitur, ta kthejë në barnatore ndërsa paratë t’i ndajnë përgjysmë.

“Në pjesën ku janë disa dyer që hapen e kam taku Xhevdetin prapë ish kanë aty tuj pritë. Pamja e tij më tregoi që i ka ndodhur diçka. I thash: “Çfarë ke?  Çka ka ndodhë?”. I thash: “A u kry operacioni?”. Tha: “Po, dhe ka kaluar mirë, me sukses operacioni”. Por më tha: “A e di çka ndodhi?”. Tha: “Më thirri doktori, më tha hajde në zyrë te unë e pimë nga një cigare e unë i thash nuk e pi duhanin e më tha hajde, hajde e ndezim nga një bashkë” – tha dëshmitari Ali Berisha.

“Tha: “Unë shkova, dhe kur hyra në zyrë më tregoi që operacioni ka kaluar me sukses e qat pjesën që ti e ke ble nuk ka pasë nevojë pacientit me ia ngjitë se ia kemi vendosur një pjesë tjetër që ne e kemi pasur në spital. Ajo pjesë kthehet në barnatore e ti shko në barnatore e ata t’i kthejnë paret ty e qato pare i ndajmë përgjysmë, gjysmën unë, gjysmën ti’”- shtoi tutje Berisha.

Dëshmitari Berisha i kishte thënë se ky është rast korrupsioni dhe i kishte thënë ta raportonte rastin në Polici.

Sipas dëshmitarit Berisha, çmimi i pajisjes në fjalë kishte qenë 950 euro.

“A ka thënë mes tjerash se 500 euro do t’i mbaj për vete dhe 450 ti?” – ishte një pyetje e cila iu drejtua nga prokurori Menduhi Kastrati.

“Po qashtu diçka” – u përgjigj Ali Berisha.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me ketë çështje penale pritet të mbahet gjatë muajit shkurt 2025.

Ky rast po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Ertan Sejfulla (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët Fatime Dermaku edhe Naser Foniqi.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Sami Delijaj në cilësinë e personit zyrtar në pozitën e mjekut ortoped në QKUK, pasi kishte operuar pacientin R.M. në emër të punës së kryer, në mënyrë të drejtpërdrejtë me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm më 01.09.2023 kishte kërkuar para ryshfet nga tani i dëmtuari Xhevdet Potera shumën prej 450 euro dhe më 04.09.2023, kur Xhevdet Potera ia dërgon paratë diskutojnë rreth çmimit dhe i njëjti në formë ryshfeti i pranon 300 euro.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.

Të gjitha raportimet lidhur më këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.