Foto: KALLXO.com

Gjykimi i mjekëve lidhur me rastin e vdekjes së pacientes 36-vjeçare në QKUK, dështon të mbahet seanca

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca ndaj Vjosa Zejnullahut, Myzeine Mujës, Selman Demollit dhe Bashkim Shehollit, të cilët po akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Sipas aktakuzës që përfaqësohet nga prokurorja Javorka Përlinçeviq, nga veprimet e të pandehurve kishte vdekur një 36-vjeçare në QKUK në vitin 2016.

Mirëpo seanca e sotme, 27.05.2024 dështoi të mbahej për shkak se i akuzuari Selman Demolli nuk ka mundur të paraqitej në seancën për shkaqe shëndetësore.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla, tha se mbrojtësi i të pandehurit, avokati Besnik Berisha, përmes e-mailit zyrtar kishte kërkuar që seanca e sotme të shtyhet për shkak se i mbrojturi i tij, Selman Demolli, para pak ditësh kishte pësuar një lëndim gjatë lojës në futboll, ku dhe pse kishte pranuar tretman mjekësor ende është duke bërë ekzaminime të tjera mjekësore.

Sipas gjyqtarit Syla, avokati me e-mail po ashtu kishte bashkangjitur një raport mjekësor si dëshmi e cila e konstatonte mungesën e të akuzuarit.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Avni Syla dhe anëtarët Alban Ajvazi dhe Sulltane Hoti në fillim të seancës gjyqësore konstatuan se gjatë seancës së sotme janë paraparë të dëgjohen  dëshmitarë.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më 03.06.2024.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com më 16.02.2021, kishte bërë një hulumtim në të cilin shpërfaqte mangësitë institucionale për të trajtuar rastin në Gjykatë për nga aspekti kohor.

Në këtë intervistë, atë kohë ishte deklaruar bashkëshorti i të ndjerës, i cili kishte treguar momentet e para të keqësimit të gjendjes së bashkëshortes së tij.

Çka thotë aktakuza e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, në cilësinë e mjekëve më 20.01.2016, në Prishtinë, në QKUK – KGJO, me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore, në veprimet e tyre me dashje të mundshme, të vetëdijshëm se me veprimet e tyre mund të sjellin deri te vdekja e pacientit, kanë përdorur haptazi metoda të papërshtatshme të trajtimit dhe me atë rast kanë shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarës – tanimë të ndjerës S.F. nga Prishtina.

Sipas aktakuzës thuhet se e pandehura Vjosa Zejnullahu nuk ka kërkuar mendimin e mjekëve të tjerë për të vendosur nëse e dëmtuara duhet të trajtohet fillimisht në urgjencë apo në terapi intensive.

Ajo, sipas Prokurorisë, ka nënvlerësuar ankesën e pacientes për reagimin ndaj transfuzionit të gjakut dhe vazhdoi me dhënien e gjakut, e njëjta ka anashkaluar konsultimin me transfuziologun, megjithëse e dinte se përkeqësimi i gjendjes së pacientes ka ndodhur pas transfuzionit të gjakut, kur ajo e ka dërguar pacienten në Qendrën Urgjente nuk ka dërguar edhe qesen me gjak për të parë se cili gjak i është dhënë të dëmtuarës duke ditur faktin që kemi grupe të ndryshme gjaku por e shkatërroi si provë kryesore.

Tutje sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri i dytë Selman Demolli dhe e pandehura e tretë Myzeine Muja, nuk kanë vepruar sipas protokolleve standarde për trajtimin e pacientit sepse nuk kanë dhënë rekomandime për konsultim me transfuziologun pasi që të dëmtuarës i është përkeqësuar gjendja dukshëm gjatë marrjes së gjakut në atë mënyrë të gjithë ata nuk kanë ndërmarrë veprime për trajtimin e pacientes me anti-reaksion pastaj japin konkluzionet e gabuara, duke vendosur që në vend që të thërrisnin për konsultë me transfuziologun, kanë thirrur neurologun, të pandehurin e katërt Bashkim Sheholli.

Gjithnjë sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri i katërt Bashkim Sheholli, i cili nuk ishte mjek kompetent për këtë rast, por urdhëroi diçka tjetër që nuk ishte në përputhje me protokollin, duke rekomanduar dhe të bëhet CT e trurit të pacientes, duke i anashkaluar edhe të pandehurit e tjerë, konsultë me transfuziologun, ndërsa të gjithë si ekip nuk rekomandojnë mbajtjen e qeses me gjak të cilën e ka marrë e dëmtuara për analiza të mëtutjeshme, ku në atë rast gjendja përkeqësohet dhe vdes e dëmtuara.

Për këto veprime Prokuroria të  pandehurit i akuzon se secili prej tyre individualisht ka kryer veprën penale – trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.