Foto-ilustrim

Gjykimi i Milaim Zekës për shkelje të privatësisë, dështon të mbahet seanca

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e Milaim Zekës, i akuzuar për shkelje të privatësisë.

Seanca ishte paraparë të mbahej sot, por prezent nga palët ishte vetëm prokurori Ali Ajdini.

Në këtë seancë përveç Milaim Zekës kanë qenë të ftuar e dëmtuara B.D. dhe në cilësinë e dëshmitarëve Vehbi Kajtazi dhe Avdyl Mziu.

Dëshmitari Mziu sipas Gjykatës ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

Ndërsa për Zekën, të dëmtuarën B.D. dhe Vehbi Kajtazin Gjykata njoftoi se nga fletë-kthesa është konstatuar se adresat e tyre nuk janë të plota.

Lidhur me këtë rast munguan edhe avokati Tomë Gashi si mbrojtës i të dëmtuarës si dhe avokati Florent Latifaj si mbrojtës i Milaim Zekës.

Latifaj në komunikim me KALLXO.com ka treguar se as ai, as i akuzuari Milaim Zeka nuk kanë pranuar ftesë për seancë.

“As mua, as të mbrojturit tim nuk na kanë ardhur ftesat. Sipas Gjykatës ato janë dërguar në adresë të gabuar” – tha Florent Latifaj.

Të njëjtën e ka thënë edhe avokati i palës së dëmtuar, Tomë Gashi.

“Nuk e di pse seanca është shtyrë, sepse as unë, as e dëmtuara nuk kemi qenë të ftuar për seancë sot” – tha Tomë Gashi.

Gjyqtari i rastit, Sabit Sadikaj, për këto mungesa mori vendim që për të dëmtuarën, Milaim Zekën, dhe Vehbi Kajtazin, të lëshojë urdhëresë për verifikim adrese.

Ndërsa për avokatët vendosi që të dërgohen ftesa të rregullta, e për dëshmitarin Mziu vendosi të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari Milaim Zeka në maj të vitit 2017 në një restorant në Prishtinë, pa autorizim e ka incizuar palën e dëmtuar B.D., e më pastaj duke u bazuar në atë incizim, sipas Prokurorisë, i njëjti në rrjetin social “Facebook” e ka publikuar edhe një artikull që aludonte në tani të dëmtuarën, duke përfshirë kështu jetën e saj private.

Me anë të këtyre veprimeve, Prokuroria po pretendon se Milaim Zeka e ka cenuar privatësinë e të dëmtuarës B.D.