Gjykimi i Nuro Ismailit - Foto: KALLXO.com

Gjykimi i menaxherit të Prokurimit për tenderin për dru e pelet, dëshmitari jep vlerësim sa u dëmtua Komuna

Gjykimi ndaj zyrtarit të prokurimit të Komunës së Dragashit, Nuro Ismaili, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve.

Ismaili po akuzohet se gjatë vitit 2019 në cilësinë e menaxherit në Zyrën e Prokurimit dështon të konfiskoj[ sigurinë e tenderit në shumën prej 3,000 euro për furnizim me dru dhe pelet nga operatori ekonomik “Avni Murtezi” dhe lidh kontratë me operatorin më të shtrenjtë për 25.680 euro, duke dëmtuar buxhetin e Komunës.

Para fillimit të seancës, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Raima Elezi, i njoftoi palët në procedurë se ka ndërruar trupi gjykues dhe gjykimi fillon rishtas.

Dëshmitari Fadil Sinani, i cili ishte jurist në Zyrën e Prokurimit në Dragash dhe e kishte shef të akuzuarin Nuro Ismaili, tha se një ndër kushtet për sigurimin e tenderit është që kompania e cila është e propozuar si fituese duhet të sjellë me vete vërtetimin e Administratës Tatimore t[ Kosovës dhe vërtetimin e Gjykatës për të cilën operatori nuk është nën hetime.

Mirëpo, në rastin konkret dëshmitari shtoi se nëse operatori ekonomik nuk i sjell vërtetimet e lartcekura siç është rasti tek operatori ekonomik “Avni Murtezi”, në bazë të kushteve të tenderit vazhdohet me operatorin e radhës. Dëshmitari po ashtu tha se nuk e kishin paralajmëruar operatorin ekonomik që nëse nuk i sjell vërtetimet e duhura do t’i konfiskohet sigurimi i tenderit.

“Derisa nuk njoftohet operatori për pasojat e mossjelljes së dokumenteve nuk mund të konfiskohet garancia, prandaj lëshimi është që operatori nuk është njoftuar me kohë. Në praktikë, është hera e parë që auditorët e kanë paraqitur si vërejtje moskonfiskimin e sigurimit të tenderit-garancinë”, shtoi Ismaili.

Tutje, dëshmitari u pyet nga i akuzuari sa a dëmtohet buxheti i Komunës në rastin konkret kur operatori me çmimin më të lirë nuk ishte tërhequr zyrtarisht, operatori i radhës nuk i kishte plotësuar kushtet e tenderimit e në këtë rast komisioni kishte zgjedhur operatorin e 3-t[ – firmën “Nazi Travell”, i cili sipas të akuzuarit i kishte plotësuar të gjitha kushtet por ishte më i shtrenjtë  se operatori i parë për shumën 25 mijë e 680 euro.

“Sipas interpretimit tim, mendoj se nëse Komuna është dëmtuar është dëmtuar për shumën prej 3 mijë euro”, tha dëshmitari Fadil Sinani.

Dëshmitari deklaroi se edhe po ta kishin bërë konfiskimin e sigurimit të tenderit prej 3,000 euro përsëri do të vazhdonin me operatorin tjetër të radhës të përgjegjshëm pa marrë parasysh se a është i dyti apo i pesti.

Në fund, gjyqtarja Raima Elezi për shkak të përfundimit të orarit të punës vendosi që seanca e sotme të ndërpritet dhe ajo e radhës të caktohet për 26 tetor 2021.

Sipas aktakuzës të datës 30 nëntor 2020, i pandehuri Nuro Ismaili po akuzohet se nga 18 marsi 2019 e deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Dragashit, kishte shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi”.

Ismaili, sipas aktakuzës, në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit, në kundërshtim me ligjin ka lidhur kontratë për furnizim me pelet me një operator më të shtrenjtë për 25 mijë e 680 euro.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, Ismaili akuzohet se ka dështuar që të konfiskojë sigurinë e tenderit i datës 5 maj 2019 në shumën prej 3 mijë euro për furnizim me dru dhe pelet nga operatori ekonomik “Avni Murtezi”.

Po ashtu, Ismaili ngarkohet se pa i plotësuar të gjitha dokumentet, lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 25,680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës.

Me këto veprime, Nuro Ismaili nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimi të pozitës apo autoritetit zyrtar.