Foto: KALLXO.com

Gjykimi i luftëtarit të UÇK-së për krime lufte, Policia sjell me forcë dëshmitarin

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Remzi Shala, i akuzuar për krime lufte, është ballafaquar në Gjykatën e Prizrenit me deklaratat e dy dëshmitarëve.

Remzi Shala akuzohet se në qershor të vitit 1998 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria. Përteshi pak ditë më pas ishte gjetur i vdekur pranë rrugës në fshatin e tij – Duhël të Suharekës.

Gjatë së enjtes, së pari u dëgjua dëshmia e Myrtez Zekollit.

Dëshmitari Zekolli qëndroi pranë deklaratave të dhëna më herët. Në seancë ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës e kishte mbrojtur popullatën civile.

“Po të mos kishte qenë ky qëllim nuk do të isha pjesëtar i asnjë aktiviteti të kësaj ushtrie” – përfundoi Zekolli.

Pas tij dha deklaratë edhe dëshmitari Hajdar Qatani.

Qatani ndryshe prej dëshmitarit të parë u soll me forcë nga Policia. Ndërkaq, kur filloi dëshminë e tij ai qe i shkurt.

“Nuk më kujtohet, i keni shënimet nga e kaluara”-përsëriste dëshmitari.

Qatani edhe pas leximit të deklaratës së tij mohoi të kishte njohuri se si ishte marrë Haxhi Përteshi.

I njëjti mohoi të kishte dijeni se kush janë 4-5 persona që janë marrë në Duhël ndonëse për këtë kishte dhënë deklaratë në vitin 2018.

Mbrojtësi i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha, i lexoi deklaratën dëshmitarit ku ai kishte thënë se: “… kemi pasur frikë se i kanë marrë 4-5 veta të Duhlës dhe kemi mendu që mundemi me pësu edhe na njëjtë si ata”.

Edhe pas ballafaqim me këtë deklaratë, Qatanit nuk i kujtohej kjo rrethanë.

“Nuk e di, i keni shënimet” – tha dëshmitari.

Qatani mohoi të kishte më shumë dijeni kur në vitin 2016 ka thënë se Haxhi Përteshi ishte marrë nga UÇK-ja.

“Në gjithë katundin është përfolë se Haxhiun e kanë marrë UÇK-ja, nuk më kujtohet saktë kush më ka treguar mua” – kishte thënë ai.

Edhe pas leximit të kësaj deklarate ai mohoi të kishte dijeni se nga kush ka dëgjuar.

“Jo” – tha Qatani.

Përpara trupit gjykues, ai pohoi se kur kishte shkuar në Grajqevc ka dëgjuar për pseudonimin “Molla e Kuqe”.

“Kam dëgjuar si emër, nuk e di çfarë detyra ka pasur se unë e kam kryer punën time me traktor kam dërguar ushqim për ushtarë” – tha dëshmitari.

Në vijim ai mohoi të kishte dijeni nëse “Molla e Kuqe” ka qenë komandant apo ushtar.

Deklarata e dëshmitarit Hajdar Qatani përfundoi me vërejtje të dhëna nga Prokuroria dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar.

Ndërkaq, Blerim Mazreku, mbrojtës i të akuzuarit, paraqiti vërejtje karshi kolegut të tij avokat, Asdren Hoxha.

“Kam vërejtje në sjelljet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar i cili po tentonte që ta vërë në vështirësi dëshmitarin pasi atij nuk po i pëlqen dëshmia e dëshmitarit” – tha avokati Mazreku.

Në anën tjetër, pretendimit të Mazrekut i është përgjigjur avokati Asdren Hoxha, i cili kërkoi që i njëjti të paraqesë vërejtjet ndaj dëshmitarit dhe jo avokatit.

“Kërkoj që t’i tërhiqet vërejtja avokatit mbrojtës pasi ai duhet të fokusohet në çështje ngase gjykata kërkoi që ai të deklarohet rreth dëshmisë së dëshmitarit dhe jo ta njollosë pozitën e përfaqësuesit të palës së dëmtuar” – tha mes tjerash avokati Hoxha.

Më shumë se 4 orë ka zgjatur seanca ndaj Remzi Shalës, ku gjatë ditës së enjte janë dëgjuar dy dëshmitarë, kurse e gjithë seanca është incizuar audio.

Gjykata mori vendim që për seancën e radhës, më 5 shtator 2022, të bëhet ballafaqimi i dëshmitarit Xhafer Shukolli me Shefki Bujarin.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Sipas Prokurorisë,  Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës “Molla e Kuqe”, i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këto akuza, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Kurse, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga Gjykata e Apelit i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin e plotë për aktakuzën ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala mund ta shikoni këtu:

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Remzi Shala mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.