Foto: KALLXO.com

Gjykimi i luftëtarit të UÇK-së për krime lufte, dëshmitari: I kam pa disa shenja të zeza në krahun e Haxhi Përteshit

Në gjykimin e Remzi Shalës, i njohur me nofkën e luftës si “Molla e Kuqe”, i akuzuar për privimin nga liria të Haxhi Përteshit, i cili disa ditë më vonë ishte gjetur i vdekur në Duhël të Suharekës, ka dëshmuar edhe Halil Përteshi.

Dëshmitari para trupit gjykues të Gjykatës së Prizrenit sqaroi se në qershor të vitit 1998 derisa kishte qenë roje disa persona të armatosur dhe të uniformuar kishin shkuar te lagjja Sopa, rreth 500 metra larg shtëpisë së të ndjerit Haxhi Përteshi.

“Nga mesi i luftës, në muajin qershor të vitit 1998, derisa kam qenë roje me Bashkim Elshanin dhe Naser Qatanin, natën kanë ardhur dy vetura me 7-8 persona dhe kanë pyetur: ”A ka Përtesh këtu?”. Jam përgjigjur me: Po! Dhe ata pastaj më kanë larguar diku rreth 20-30 metra më larg. Pas kësaj, kanë biseduar me Bashkimin dhe pas dhjetë minutave janë larguar”, deklaroi dëshmitari.

Sipas tij, këta 7-8 persona me uniformë të larme dhe të armatosur me armë kanë folur në gjuhën shqipe.

Tutje, dëshmitari mbështeti pohimet e bëra në seancën e kaluar me datë 19 shtator 2017 duke thënë se disa prej këtyre personave kanë pasur shenjën e UÇK-së dhe janë nisur në rrugën e Qatanëve, e cila lidhej me fshatin Grajqefc, ku kishte qenë baza ushtarake.

Dëshmitari theksoi se nuk kishte njohuri se çka ka ndodhur me Haxhi Përteshin por qëndron pranë deklaratës së dhënë më parë në të cilën kishte thënë se atë e ka takuar për herë të fundit një ditë para se ta marrin, pra para natës që ka qenë roje.

Halil Përteshi më pas rrëfeu se pas vdekjes së Haxhi Përteshit ai kishte shkuar te shtëpia e tij në të cilën kishte vërejtur se në trupin e të ndjerit ishin disa shenja.

“Haxhia ka qenë i deformuar në krah, i kam pa disa shenja të zeza në pjesën e krahut”, rrëfeu dëshmitari.

Sa i përket  të akuzuarit Remzi Shala,  Përteshi sqaroi se kishte dëgjuar për të dhe e kishte parë 2-3 herë por asnjëherë s’ka komunikuar me të.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës seanca e sotme u ndërpre dhe do të vazhdojë edhe nesër.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të vitit 1998 bashkë me disa persona të tjerë, pjesëtarë të UÇK-së, kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Sipas Prokurorisë,  ish-komandanti “Molla e Kuqe” i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të tjerë, të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këtë rast, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Kurse, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga Gjykata e Apelit i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

KALLXO.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

www.kallxo.com