Foto: KALLXO.com

Gjykimi i komandantit të Zhurit për ndërhyrje në tiketën e një qytetareje, dëshmojnë dy policë

Ziber Susuri, i akuzuar për falsifikim të dokumenteve, është ballafaquar në Gjykatën e Prizrenit me deklaratat e dëshmitarëve.

Komandanti i nënstacionit policor në Zhur, Ziber Susuri, po akuzohet se ka ndërhyrë në një gjobë për kundërvajtje dhe ia ka kthyer një qytetareje patentë-shoferin që i ishte konfiskuar nga Policia.

Seanca e sotme e mbajtur në Gjykatën e Prizrenit vazhdoi me dëgjimin e dy dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria.

Dëshmitari Vllaznim Fanaj ka deklaruar se tiketat e shqiptuara mund të plotësohen apo ndryshohen nga të tjerët.

Ai ka sqaruar se më 27 mars 2021 së bashku me oficerin Driton Krasniqi ka plotësuar fletëparaqitjen për kundërvajtje ku është shqiptuar 200 euro gjobë dhe një pikë negative kundër Majlinda Elshanit.

Kjo tiketë, sipas Fanajt, më pas ishte dorëzuar në nënstacionin policor në Zhur.

Në vijim të gjykimit Fanaj ka argumentuar se nga komandanti i stacionit policor në Prizren, Qamil Kroni, ishte urdhëruar për ta ndryshuar tiketën kundërvajtëse.

“Më 27 mars 2021, është e vërtetë se kam pasur një thirrje përmes “Messenger” nga Facebook-u dhe krejt në fund më ka ardhur një SMS ku është shkruar: “A është kry ajo punë?”. Mirëpo unë nuk I jam përgjigjur”, deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari Fanaj për presionin e ushtruar nga ana e komandantit  të stacionit policer, Qamil Kroni, deklaroi se është njoftuar zëvendëskomandanti.

Fanaj më tej ka pohuar se nga i akuzuari Ziber Susuri është propozuar që kjo tiketë të korrigjohet, mirëpo, një gjë të tillë dëshmitari nuk kishte pranuar.

Në seancën e së enjtes u dëgjua edhe dëshmitari – zyrtari policor Driton Krasniqi.

Krasniqi pohoi se më 27 mars 2021, tiketa e plotësuar nga Vllaznim Fanaj ishte dorëzuar në nënstacionin policor të Zhurit.

Dëshmitari Krasniqi theksoi se këto tiketa pasi vendosen në boks, kontrollohen nga ana e komandantit Ziber Susuri për ndonjë korrigjim apo lëshim.

Paraprakisht në këtë seancë Ziber Susuri pas leximit të aktakuzës është deklaruar i pafajshëm.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua për më 25 maj 2022.

Prokuroria në Prizren, me aktakuzën e datës 28 tetor 2021, komandantin e nënstacionit policor të Zhurit po e ngarkon për veprën penale falsifikim i dokumentit.

Ziber Susuri akuzohet se si person zyrtar ka ndërhyrë në fletëparaqitjen për kundërvajtje të lëshuar nga dy zyrtarë policorë ndaj një qytetareje sipas së cilës fletëparaqitje ajo kishte bërë kundërvajtje dhe të njëjtës i ishte shqiptuar gjoba në shumë prej 200 eurove, i ishte marrë patentë shoferi për tre muaj dhe i ishte shqiptuar një pikë negative.

Organi i akuzës gjithashtu thotë se në këtë fletëparaqitje Susuri ka shënuar të dhëna të rreme ku tek pjesa e gjobës ia bën gjobën 50 euro, anulon masën mbrojtëse për marrjen e patentë-shoferit dhe pikën negative duke fshirë me laps kimik.

I njëjti ka vënë nënshkrimin e tij tek “nënshkrimi i mbikëqyrësit” dhe ka shënuar numrin e ID-së së tij.