Gjykimi i ish-shefave të PTK-së: Zyrtari i ‘Dardafone tregon’ mosmarrëveshjet PTK- Vala

Në Gjykatën e Prishtinës po gjykohen dy ish-Kryeshefat e Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

I akuzuar është edhe ish-kryetari i bordit të Telekomit, Rexhë Gjonbalaj.

Gjatë seancës së sotme në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua këshilltari ligjor i kompanisë “Dardafone”, Valon Basha.

Në dëshminë e tij ai u deklarua lidhur me përgjegjësitë e tij, marrëveshjen mes PTK dhe Dardafon si dhe mosmarrëveshjet mes tyre.

Për marrëveshjen mes PTK dhe Dardafone ai tha se ka njohuri madje e ka lexuar shpesh atë. Ndonëse nuk e dinte se si kanë filluar negociatat sa i përket lidhjes së kësaj marrëveshje, ai tha se ka njohuri sa i përket arsyeve pse kanë lindur mosmarrëveshjet mes këtyre dyjave.

“Mosmarrëveshjet, kanë qenë rreth interpretimit të dispozitave të marrëveshjes. Përkatësisht ne kemi pretenduar çdoherë se kjo marrëveshje na mundëson neve qe te kemi shërbime 3g 4g, numrat që janë shtesë si dhe sim-kartela, fizikisht, pa ndonjë kufizim. Këto janë tri pikat kryesore të mosmarrëveshjes” tha Basha.

Pyetur nga Prokurori i rastit nëse ka pasur kërkesa me shkrim nga ana e Dardafone drejtuar PTK-së sa i përket marrëveshjes me shkrim, ai tha se po, mirëpo jo gjithmonë kanë marrë përgjigje nga ana e PTK-së.

Me Agron Mustafën ai tha se janë takuar dy herë, fillimisht kur ai kishte ardhur në pozitë dhe herën e dytë pas vendimit të arbitrazhit. Mirëpo ai tha se Mustafa ka ardhur në pozitë pasi kishe filluar procedura e arbitrimit.

Ai tha se takim kanë pasur edhe me Ejup Qerimin, i cili kishte zgjatur shumë shkurt, ndërsa me Rexhë Xhonbalaj nuk ishte takuar asnjëherë.

Basha më tutje tregoi edhe dallimet mes Dardafon dhe PTK-së, sa i përket interpretimit të dispozitave të kontratës.

“Rreth Numeracionit, Dardafon ka pretenduar qe nuk ka ndonjë kufizim në kontratë, andaj edhe i është drejtuar ARKEP-it për numeracion shtesë, ndërsa PTK ka pretenduar se kontrata i parasheh vetëm 200 000 numra të cilat kanë qenë të alokuara. Ndërsa, sa i përket shërbimeve 3g 4g, Telekomi çdoherë ka pretenduar që kontrata ka të bëjë specifikisht me shërbimin 2G apo GSM. Ndërsa, ne kemi pretenduar se çdo shërbim që Telekomi ka mundësi të i jap klientëve të vet duhet që pa diskriminim të ja alokoj edhe klientëve tanë”, tha ai.

Kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, tha se të dëmtuarit Blerim Devolli dhe Milot Gjikolli, kishin deklaruar se nuk e ndiejnë veten të dëmtuar dhe nuk i bashkëngjiten ndjekjes penale.

Seanca e ardhshme është caktuar të mbahet nesër ku edhe do të vazhdohet me mbrojtjen e të akuzuarve.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Ejup Qerimi, si kryeshef ekzekutiv i PTK-së, gjatë periudhës kohore shkurt 2012 – tetor 2014, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, i pandehuri Agron Mustafa, ish-Kryeshef ekzekutiv i Telekomit, nga data 19.02.2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse, e deri më 24.05.2017, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final, duke shfrytëzuar detyrën, respektivisht autoritetin zyrtar, nuk ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale një kompanie tjetër.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Po ashtu, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, theksohet se i pandehuri i tretë Rexhë Gjonbalaj duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare nuk ka përmbushur detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i shkaktojë dëme materiale dikujt tjetër. Aktakuza thotë se me këto veprime i pandehuri Rexhë Gjonbalaj ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza ka të bëjë me veprimet që i paraprinë vendimit të Gjykatës dhe pastaj kontestit në Arbitrazh, e të cilat u përmbyllën me marrëveshjen në mes të Z-Mobile dhe Valës.

Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi, në kohë të ndryshme, kanë mbajtur pozitën e kryeshefit të Telekomit. Ndërsa, Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës.

Blerim Devolli, pronar i kopanisë Z-Mobile, para Gjykatës kishte rrëfyer për takimet e tij me ish-krerët e Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe Ejup Qerim

KALLXO.com kishte raportuar që Gjykata e Apelit kishte vendosur që ta përmbysë vendimin e Gjykatës së Prishtinës, duke i dërguar në gjykim tre të akuzuarit në rastin e Telekomit.

KALLXO.com mësoi se Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale ndaj aktvendimit të Gjykatës së shkallës së parë.

Më 27 shtator të vitit të kaluar, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat të cilat u viheshin në barrë.

Aktakuzën ka qenë duke e përfaqësuar prokurorja speciale Florie Shamolli, ndërsa rasti është gjykuar nga gjykatësi Lutfi Shala.

Më 24 maj të vitit 2017, Telekomi i Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile) kishin arritur marrëveshje për përmbylljen e vendimit të Arbitrazhit rreth kontratës për operator virtual të telefonisë mobile.

Vendimi ishte paraqitur si një triumf për kompaninë pasi e lironte Telekomin nga obligimi i pagesës prej 30 milionë eurove për kompaninë Z-Mobile.

Në vitin 2016 Gjykata e Arbitrazhit kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile në kontestin me Telekomin. Vendimi krijonte obligime për të kompensuar një dëm prej 30 milionë euro.

Menjëherë pas vendimit, pushtetarët dhe njerëzit e drejtësisë kishin reaguar duke kërkuar hetime dhe përgjegjësi për këtë humbje.

Gjakrat ishin qetësuar disa muaj më vonë kur Telekomi dhe Z-Mobile u dakorduan që vendimi për pagesën e 30 milionë eurove të mos zbatohej.

Kallxo.com ka raportuar vazhdimisht për rrjedhën e këtij gjykimi.