Gjykimi i ish-sekretarit të KPK-së dhe të tjerëve, 6 shkurt 2023, Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-sekretarit të KPK-së, Prokurori: Vendosni drejtësi, pavarësisht interferimeve në këtë çështje

Në gjykimin kundër Lavdim Krasniqit, ish-sekretarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), shoferit të tij, Ardian Krasniqi, asistentes së tij, Marigona Berisha dhe zyrtares Flora Doda, të akuzuar për keqpërdorim detyre e vepra të tjera, prokurori kërkoi nga trupi gjykues të mos bie pre ndikimit të presionit publik dhe të vendos drejtësi.

Seanca sotme ishte paraparë t’i dedikohej fjalës përfundimtare të palëve, ku prokurori i çështjes Zejnullah Gashi, pati rastin që të deklarojë fjalën e tij.

Prokurori Gashi shprehu pretendimet se është vërtetuar aktakuza dhe kërkoi nga trupi gjykues të gjejë fajtorë dhe të dënoi tani të akuzuarit.

Prokurori fjalën e tij përfundimtare e mbylli me kërkesën e tij ndaj trupit gjykues që të vendoset drejtësi në bazë të provave dhe të mos ndikohet nga presioni publik.

“E di që keni peshë të madhe në ndarjen e drejtësisë në rastin konkret, pa marrë parasysh presionin publik që e ka karakterizuar gjatë tërë rrjedhës së këtij gjykimi dhe pavarësisht tentativave për interferim në këtë çështje kërkoj nga trupi gjykues që të vendosni në bazë të provave dhe të zbatoni tërësisht drejtësinë” – tha prokurori Gashi në seancë.

Në lidhje me pretendimet e prokurorit për “tentimet për interferim”, pati pyetje kryetari i trupit gjykues së kësaj çështje, gjyqtari Alban Ajvazi.

“Gjykata gjithmonë vendos në bazë të provave dhe jo në bazë të presionit publik, e nëse prokurori ka pasur tentativa për interferim të njëjtat ftohet t’i deklarojë, që ne t’i dijmë ato dhe të informohet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e të zhvillohet një procedurë penale” – tha gjyqtari Ajvazi.

Pas konstatimit të deklarimeve të tilla nga ana e prokurorit, trupi gjykues u tërhoq për këshillim dhe si rrjedhojë mori vendim që seanca e sotme nuk mundet të vazhdojë tutje.

Me vendim trupi gjykues njoftoi se për deklarimet e tilla do të informohet Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe pas pranimit të një raporti nga ana e tyre, atëherë do të mund të vazhdohet me gjykimin.

Kujtojmë se ky rast veç se kishte arritur fundin pasi që proceduralisht pas dhënies së fjalës përfundimtare në një afat 3 ditor duhet të shpallet vendimi.

Ish-drejtori i sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, akuzohet se bashkë me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga Bashkim Mulolli, duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.

Me këto veprime, sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, kanë kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

Po ashtu, të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A. M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më ç’rast kishin kaluar në territorin e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se ai së bashku me zyrtaren Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi, ka kryer veprën penale – mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.

Ndërsa shoferi i tij, Ardian Krasniqi, akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit për COVID-19 për Bashkim Mulollin me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Akuza rëndojnë edhe ndaj asistentes së Krasniqit, Marigona Berisha.

Sipas Prokurorisë ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara, pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të Bashkim Mulollit me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8 mijë e 400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj.

Deri te zbulimi i kësaj vepre, Prokuroria pretendimin për falsifikim e mbështet edhe në ekspertizën e Agjencisë Kosovare për Forenzikë, e cila ka konstatuar se nënshkrimi i Bashkim Mulollit në atë dokument nuk ishte i tij.

Përpos kësaj, Marigona Berisha akuzohet me pretekstin se kishte pranuar pasurinë duke qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, përkatësisht veturën e tipit “VW T-roc”, në vlerë prej 25 mijë euro.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur në gusht të vitit 2021.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni në LINK.