FOTO: KALLXO - Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Gjykimi i ish-sekretarit të KPK-së, ndalohet publikimi i deklaratave të dëshmitarëve

Gjykata e Prishtinës ka ndaluar publikimin e deklaratave të dëshmitarëve në gjykimin e ish-sekretarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi.

Trupi gjykues në krye me gjykatësin Alban Ajvazi mori vendim që pjesa e deklaratave të dëshmitarëve të mos publikohen deri në dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Në seancën e sotme është deklaruar dëshmitari Beqir Dauti, auditor i brendshëm në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Sipas gjyqtarit Ajvazi seanca e radhës do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues Bashkim Mulolli, dhe dëshmitarët e tjerë Albi Mulolli, Fetah Salihu, Bajram Luma, Isen Sadiku, Lirim Potera dhe Fahri Kajtazi.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 8 prill 2022.

Ish-drejtori i sekretariatit të KPK-së akuzohet se bashkë me shoferin e tij Ardian Krasniqi, në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga Bashkim Mulolli duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.

Me këto veprime, sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, kanë kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.

Po ashtu, të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A.M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas Prokurorisë këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më c’rast kishin kaluar në territorin e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzë thuhej se ai së bashku me zyrtaren Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë prej 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi, ka kryer veprën penale – mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.

Ndërkaq shoferi i tij, Ardian Krasniqi akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit Covid për Bashkim Mulollin me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Akuza rëndojnë edhe ndaj asistentes së Krasniqit, Marigona Berisha.

Sipas Prokurorisë ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara, pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të Bashkim Mulollit me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8 mijë e 400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj.

Deri te zbulimi i kësaj vepre, Prokuroria pretendimin për falsifikim e mbështet edhe në ekspertizën e Agjencisë Kosovare për Forenzikë, e cila ka konstatuar se nënshkrimi i Bashkim Mulollit në atë dokument nuk ishte i tij.

Përpos kësaj, Marigona Berisha akuzohet me pretekstin se kishte pranuar pasurinë duke qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, përkatësisht veturën e tipit “VW T-roc”, në vlerë prej 25 mijë euro.

Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur në gusht të vitit 2021.

Ngritët aktakuzë ndaj Lavdim Krasniqit, Marigona Berishës e dy personave të tjerë

 

Ish sekretari i Këshillit Prokurorial deklarohet lidhur me akuzat për afera korruptive