FOTO: KALLXO - Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës
Gjykimi i ish-sekretarit të KPK-së, aprovohet kërkesa e mbrojtjes lidhur me vendimin e avancimit të prokurorit aktual
Në gjykimin e ish-sekretarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi, Gjykata e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e mbrojtësve të të akuzuarve që të vërtetohet saktë periudha kohore për avancimin- transferimin e prokurorit aktual nga Departamenti i Përgjithshëm në Prizren në Departamentin për Krime të Rënda në Prishtinë.
Në këtë rast të akuzuar janë edhe Ardian Krasniqi, Marigona Berisha dhe Flora Doda.
Ata po gjykohen për veprat penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, detyrim, raportim i rremë i pasurisë si dhe falsifikim të dokumenteve.
Mbrojtësit e të akuzuarve sot kërkuan që të sigurohet aktvendimi i veçantë me të cilin vërtetohet saktë periudha kohore e avancimit-transferimit të prokurorit Zejnullah Gashi nga Departamenti i Përgjithshëm në Prizren në Departamentin për Krime të Rënda në Prishtinë.
Mbrojtja pretendoi që aktvendimi për avancim, të cilin prokurori i rastit e ka dorëzuar në Gjykatë, është i vlefshëm vetëm 30 ditë, e sipas mbrojtjes ekziston një vakuum kohor pas datës së paraqitur e deri në ngritjen e aktakuzës.
Vendimi për transferim të prokurorit nga Departamenti i Përgjithshëm në Prizren në Departamentin për Krime të Rënda në Prishtinë nga ana e mbrojtësve po konsiderohet që është jashtëligjor dhe jo i drejtë.
Këtë kërkesë e aprovoi Gjykata e Prishtinës, e cila pritet që t’i drejtohet KPK-së për informata të mëtutjeshme në lidhje me transferimin dhe avancimin e prokurorit.
Seanca e ardhshme pritet që të vazhdojë më 9 dhjetor të këtij viti.
Ish-drejtori i sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, akuzohet se bashkë me shoferin e tij, Ardian Krasniqi, në disa lokacione kishin kërkuar dhe pranuar para dhe dhurata në vlerë prej 40 mijë euro nga Bashkim Mulolli, duke i premtuar se do të ushtronin ndikimin e tyre për t’ia ulur dënimin si dhe për t’ia shtyrë ekzekutimin e dënimit me burg.
Me këto veprime, sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, kanë kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit.
Po ashtu, të akuzuarit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A.M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të drejtorit të SKPK-së, duke konsumuar veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.
Sipas Prokurorisë këtë veprim e kishin marrë duke përdorur logon zyrtare dhe rotacionin të cilin e posedonte vetura e KPK-së, më c’rast kishin kaluar në territorin e Shqipërisë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Lavdim Krasniqi dhe Flora Doda kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në aktakuzë thuhet se ai së bashku me zyrtaren Flora Doda kishin porositur dhe pranuar mobile në vlerë 9,480 euro ndërsa pas disa ditëve kishin lidhur kontrata dhe zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.
Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri Lavdim Krasniqi, ka kryer veprën penale – mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.
Sipas Prokurorisë, ai nuk e kishte përfshirë në deklarimin e pasurisë shumën e 40 mijë eurove që i kishte marrë pas shitjes së banesës si dhe shumën prej 10 mijë euro të cilat ia kishte dhënë miku i tij në emër të blerjes së dy banesave në vlerë prej 121 mijë euro.
Ndërkaq shoferi i tij, Ardian Krasniqi, akuzohet edhe për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pasi sipas Prokurorisë kishte falsifikuar rezultatet e testit për COVID-19 për Bashkim Mulollin me qëllim që të njëjtit t’i mundësohej shtyrja e ekzekutimit të dënimit.
Akuza rëndojnë edhe ndaj asistentes së Krasniqit, Marigona Berisha.
Sipas Prokurorisë ajo kishte përpiluar dokumente të falsifikuara, pasi kishte falsifikuar deklaratën në emër të Bashkim Mulollit me të cilën pretendonte se i kishte paguar të njëjtit shumën prej 8 mijë e 400 eurove në zyrën e noterit Sefedin Blakaj.
Deri te zbulimi i kësaj vepre, Prokuroria pretendimin për falsifikim e mbështet edhe në ekspertizën e Agjencisë Kosovare për Forenzikë, e cila ka konstatuar se nënshkrimi i Bashkim Mulollit në atë dokument nuk ishte i tij.
Përpos kësaj, Marigona Berisha akuzohet me pretekstin se kishte pranuar pasurinë duke qenë në dijeni se e njëjta ishte fituar me vepër penale të shkaktuar nga Lavdim Krasniqi dhe Ardian Krasniqi, përkatësisht veturën e tipit “VW T-roc”, në vlerë prej 25 mijë euro.
Aktakuza ndaj tyre ishte ngritur në gusht të vitit 2021.