I akuzuari Fatlum Mehmeti në seancën e datës 04.12.2024- Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-policit për vrasjen e kolegut gjatë ahengut, dëshmitari: I akuzuari kishte bërtitur ”kuku çka bana!”

Në gjykimin e Fatlum Mehmetit, i cili nga Prokuroria po akuzohet se vrau me dashje eventuale kolegun e tij polic, Lirim Haxholli, nga një distancë 70-80 cm, të mërkurën, 04.12.2024, ka dhënë dëshminë dëshmitari i radhës, Valdet Rrahimi.

Lirim Haxholli, zyrtar policor, 27-vjeçar, kishte mbetur i vrarë sipas Prokurorisë nga arma zyrtare e kolegut të tij, Fatlum Mehmeti, në një aheng më 18.02.2022.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se i ndjeri Haxholli ishte qëlluar në regjionin e krahut të djathtë duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në një aheng ku kishin qenë të pranishëm mbi 10 zyrtarë policorë.

Dëshmitari Valdet Rrahimi tha në Gjykatë se i akuzuari Fatlum Mehmeti pas momentit kritik derisa mbante armën në dorë e kishte goditur veten me grushte në kokë.

“Kam vërejtur Fatlumin që kishte filluar të bërtasë, duke thënë: “Çka bana!” disa herë, “Kuku se çka bana!” dhe kishte filluar ta godiste veten në kokë me grushte. Në këto momente e kam vërejtur që Fatlumi e kishte armën në dorë, jemi afru me kolegun Xhaferin, e kemi kapë për dore, në këtë moment e ka lëshu armën edhe me vështirësi jemi mundu me dalë jashtë vilës në mënyrë që me u qetësu” – tha Rrahimi.

“Mirëpo, gjatë tërë kohës Fatlumi ka insistuar që me e marrë vesh se çka ndodhi me Lirimin dhe pastaj e mbaj mend që Lirimin e kemi marrë, e kemi qitë kerrin e pronarit dhe 3 kolegë së bashku me pronarin e kanë dërguar në Emergjencë” – shtoi tutje Rrahimi.

Ai po ashtu deklaroi se në momentet e para të asaj çfarë kishte ndodhur, ai dhe të tjerët kishin mbetur për disa sekonda pa lëvizur, dhe më pas kishte parë tashmë të ndjerin i cili ishte rrëzuar në tokë.

“Në momentin që e kam dëgju krismën kam qenë në telefon dhe për një moment ndoshta jo vetëm unë por të gjithë pjesëmarrësit e tjerë për 4 apo 5 sekonda kemi mbetur pa lëvizur, për shkak se nuk mujsha me kuptu se çka ndodhi. E kam pa Lirimin që është ngritë në këmbë, i ka ba 2 apo 3 hapa edhe është rrëzu në tokë” – tha dëshmitari Rrahimi.

Ai paraprakisht gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se me Fatlum Mehmetin është njohur në punën zyrtare në Polici nga shtatori i vitit 2021, kur edhe kishte filluar ai punën në stacionin policor “Qendra”.

Ai deklaroi se me Fatlum Mehmetin kishte pasur raporte të mira ashtu si me të gjithë kolegët e tjerë dhe për shkak të njohurive të tij që ai e kishte vlerësuar që janë më të mira për lidhje me punën e Policisë ai kishte qenë më i afërt me Fatlumin sa i përket çështjeve zyrtare por jo diçka shoqërore.

“Për shkak të ndihmës që ai na e ka dhënë atëherë kur kemi pasur nevojë normal që e kam konsideruar edhe si vëlla” – tha Valdet Rrahimi.

Ndërsa lidhur më të ndjerin Lirim Haxhollin ai deklaroi se për aq pak kohë sa kishte pasur mundësi ta njohë, kishte qenë një djalë i sjellshëm, i urtë dhe një bashkëpunues.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit janar 2025.

Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Ertan Sejfulla (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët, Sulltane Hoti dhe Naser Foniqi.

Ndërsa aktakuza në këtë çështje penale po përfaqësohet nga prokurori Arben Hoti.

Çka thuhet në aktakuzë?

Sipas dosjes së siguruar nga Kallxo.com, i akuzuari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare.

I akuzuari Fatlum Mehmeti ngarkohet me veprën penale të vrasjes me dashje eventuale.

Çka nënkupton dashja eventuale sipas Kodit Penal?

“Personi vepron me dashje eventuale kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj” – thuhet në Kodin Penal.

Dënimi sipas Kodit Penal për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë ndërsa të tjerët që ishin prezentë në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.

Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve të cilët kishin qenë pjesë e ahengut.

Lidhur me këtë rast është ngritur edhe një aktakuzë ndaj 14 zyrtarëve policorë të cilit kishin qenë prezentë në momentin kur kishte ndodhur ngjarja e 18.02.2022, në fshatin Zllatar të komunës së Prishtinës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit F.A., E.I., B.M., E.Th. dhe G.T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një vilë në këtë fshat, në të cilën kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e Policisë dhe përdorimin e armës të parapara në Ligjin për Policinë.

Sipas aktakuzës, të njëjtit dyshohen se kanë shtënë me armë zyrtare duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e vilës ku zhvillohej ahengu.

Me këtë, secili prej tyre individualisht sipas Prokurorisë e kanë kryer veprën penale – përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Ndërsa, të pandehurit A.B., Xh.B., A.M., A.A., A.Z., I.S., Rr.A., V.Rr. dhe A.M., nuk i kanë lajmëruar veprat penale të lartcekura, nuk i kanë raportuar të shtënat me armë zjarri të bëra nga kolegët e tyre-të pandehurit gjatë ahengut ku kanë qëndruar së bashku, andaj me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale – moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.

Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.