(Arkiv) Ish-ministrja Dhurata Hoxha në gjykatë, Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-ministres Dhurata Hoxha, dëshmojnë dy zyrtarë të Ministrisë

Në Gjykatën e Prishtinës ka vazhduar gjykimi i ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha dhe tre të tjerëve, Ekrem Tahiri, Fetih Mustafa dhe Gëzim Dushi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Kushtrim Cukaj, është dëgjuar sot në cilësinë e dëshmitarit. Ai u është përgjigjur pyetjeve të prokurores së rastit, Iliriana Çollaku Tafa, si dhe të trupit gjykues.

Cukaj ka treguar për përgjegjësitë dhe autorizimet e tij në kohën kur mbante pozitën në Ministri.

Gjatë seancës, dëshmitari u pyet nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, se sipas bindjes së tij, a ka pasur devijim të mjeteve financiare të cilat janë dedikuar jashtë qëllimeve të kontratës së kontestuar në çështje.

Në përgjigjen e tij, Cukaj tha se gjatë kohës kur ka qenë pjesë e Ministrisë nuk i është prezantuar diçka e tillë.

“Sipas informatave të mia si Sekretar, asnjëherë një informatë e tillë nuk m’u ka përcjellë. Nuk kam parë, nuk kam pasur vërejtje, nuk më është prezentu ndonjë dokument i tillë që mjetet e dedikuara për kontratën në fjalë janë dediku për tjetër qëllim. Pasi jam largu nga puna si Sekretar kam dëgju thashetheme, por diçka konkrete kurrë nuk kam parë” – shtoi ai.

Po ashtu u përmend nga Prokuroria edhe çështja e ndryshimit të vlerës në mes të buxhetit të Ministrisë dhe kontratës, me ç’rast shuma e kontratës e ka tejkaluar buxhetin e paraparë. Kjo u konfirmua edhe nga dëshmitari i cili pajtohet të ketë pasur tejkalime të cilat i kanë mbuluar me mjetet e viteve pasuese.

Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari i dytë, Novitet Nezaj, i cili tha se qëndron pranë dëshmisë së tij që e ka dhënë në Prokurori.

I njëjti u përgjigj në pyetjet e mbrojtësit të Dhurata Hoxhës, Florent Latifaj.

Ky i fundit e pyeti dëshmitarin se a ka hasur ndonjëherë në ndonjë dokument apo provë e cila nuk ka qenë objekt i kësaj kontrate, për të mbuluar agjendën politike të ndonjë subjekti politik.

“Nuk kam hasur në atë dokument, vetëm kam dëgju” – u shpreh dëshmitari.

Mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj Ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.

Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions”, e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.

Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, të cilat kishin alarmuar Prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo ministri.

Në aktakuzën e PSRK-së përshkruhet se kompania e cila ishte më e lira dhe që i kishte përmbushur të gjitha kriteret ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga procesi i tenderimit. Për këtë arsye për keqpërdorim të detyrës po akuzohet Fitim Mustafa i cili ishte shef i prokurimit në MIE.

Ai po akuzohet se është përfshirë në afera korruptive në momentin kur e ka shpallur fituese kompaninë “PR Solutions” dhe jo kompaninë e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë.

Sipas prokurorisë “N.Sh. 2B”, ishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme edhe pse i kishte plotësuar të gjitha kriteret bazë të tenderit dhe ishte për 192 mijë euro më e lirë se sa kompania e cila në fund u shpallë fituese.

Kontrata me kompaninë “PR Solutions” ishte nënshkruar nga ish-ministrja Dhurata Hoxha, e cila po akuzohet se i kishte shfrytëzuar mjetet e Ministrisë për promovimin e fushatës zgjedhore.

Hoxha po akuzohet se kontratën që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave e kishte përdorur për publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që përmbanin të arriturat dhe vizionin e saj. Dëmi që Hoxha ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës përshkruhet të jetë mbi 140 mijë euro.

Ndërsa Gëzim Dushi akuzohet se kishte lejuar zbatimin e këtyre video-spoteve dhe banerëve ndonëse ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.

Në lidhje me zbatimin e kësaj kontrate po akuzohet edhe pronari i “PR Solutions”, Ekrem Tahiri, i cili përshkruhet se kishte bërë promovimin e fushatës zgjedhore të kandidates Dhurata Hoxha edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e ofruara ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.