Gjykimi i ish-luftëtarit të UÇK-së Remzi Shala i akuzuar për krime lufte, dëgjohen dy dëshmitarë

Në gjykimin ndaj ish-luftëtarit të UÇK-së, Remzi Shala, i akuzuar për krime lufte, në seancën e së premtës u dëgjua dëshmitari Haki Përteshi.

Prokuroria Speciale pretendon se Remzi Shala në qershor të viti 1998, bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas ishte gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Dëshmitari Përteshi deklaroi se të akuzuarin Remzi Shala përveç se e kishte identifikuar tek mbledhja e Rifat Qatanit, atë e kishte takuar në vitin 1998 në istikame, mirëpo, ai theksoi se nuk kishte dijeni se çfarë detyra ka pasur Remzi Shala.

Dëshmitari mohoi të kishte dëgjuar ndonjëherë nëse i akuzuari kishte dhënë ndonjë urdhër ndaj ushtarëve të tjerë.

Gjatë deklarimit të tij, Haki Përteshi sqaroi se ai kishte pasur një dyqan në fshatin Duhël në lagjen Sopa, ku aty ka pasur një listë me persona se kush do të jenë roje fshati. Ndërkaq, nga roja e fshatit ai kishte dëgjuar se kanë ardhur disa persona me veturë nga qendra e Duhlës ku kishin hyrë nëpër lagje.

Tutje dëshmitari  Përteshi shtoi se pas gjetjes së trupit të Haxhi Përteshit, Xhemë Kapetani e kishte pyetur atë se “a guxoni ta varrosni a?”

“Pasi u gjet trupi i të ndjerit, kemi shkuar afër shtabit në fshatin Grajqefc dhe një ushtari i kam treguar se po e kërkoj komandant “Qarin-Guri”, por, në fakt erdhi një person tjetër, Xhemë Kapetani të cilit ia tregova rastin dhe ai më pyeti: çka doni me ba? Përgjigja ishte me varros! Dhe ai tha:”A guxoni a?””-deklaroi dëshmitari.

Sipas dëshmitarit ky person, Xhemë Kapedani ka qenë në shoqëri të Remzi Shalës në mbledhjen e fshatit në odë kur ishte refuzuar shërbimi i Haxhi Përteshit dhe marrja e Xhemajli Elshanit.

Në vijim të gjykimit u dëgjua edhe dëshmitari Isuf Iballi.

Dëshmitari Iballi deklaroi se asnjëherë më parë nuk ka dëgjuar për Remzi Shalën – “Mollën e Kuqe”., ndërkaq i njëjti shtoi se për të kishte dëgjuar vetëm pas luftës.

Iballi ndonëse kishte shërbyer si ushtar në periudhën e vitit 1998, ai arsyetoi se nuk ka njohuri se si janë marrë vendimet brenda një pike ushtarake për një çështje me faktin se ai kishte qenë vetëm ushtar i thjeshtë.

Dëshmitari Iballi, pohoi se kur ka qenë me një grup ushtarësh ka dëgjuar se Haxhi Përteshi ishte vrarë sepse ai ishte “spiun i serbëvee”.

“Kam qenë më një grup ushtarësh dhe në atë grup është folur se Haxhi Përteshi është vra se është “spiun i serbëve””, deklaroi dëshmitari.

Ndërkaq, ai shtoi se për aq sa kishte njohur të ndjerin Haxhi Përteshin, ai nuk ka qenë spiun.

Me përfundimin e orarit të punës, seanca e djeshme (e premte) u ndërpre dhe e radhës u caktua për datën 14 mars 2022.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Sipas Prokurorisë,  ish-komandanti “Molla e Kuqe” i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këto akuza, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Gjykata shpall fajtor ‘Mollën e Kuqe’ për krime lufte

Kurse, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga Gjykata e Apelit i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

https://kallxo.com/ligji/apeli-ia-zbut-denimin-molles-se-kuqe-i-denuar-per-krime-lufte/

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe cështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

https://kallxo.com/lajm/gjykata-supreme-kthen-ne-rigjykim-rastin-e-remzi-shales-molla-e-kuqe/

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin e plotë për aktakuzën ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala mund ta shikoni këtu.

https://www.youtube.com/watch?v=hN7C3EQcMls

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Remzi Shala mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.