Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së: Dëshmitari rrëfen se si kishte tentuar t'i takojë Adem Demaçin dhe Jakup Krasniqin

Dëshmitari numër 6 ka dëshmuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke rrëfyer se si kishte tentuar t’i takojë Adem Demaçin dhe Jakup Krasniqin.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzaur për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dëshmitari i gjashtë, i cili ka kodin 4355, ka pohuar se në vjeshtën e vitit 1998, ai është përpjekur të takojë Adem Demaçin dhe Jakup Krasniqin.

Dëshmitari i mbrojtur ka konfirmuar se në atë kohë kishte dëgjuar se Demaçi dhe Krasniqi kishin një pozicion të rëndësishëm në UÇK.

Dëshmitari gjithashtu ka rrëfyer se së bashku me nënën e tij, ka bërë një vizitë në fshatin e Jakup Krasniqit, por nuk ka pasur mundësi ta takojë atë.

Vizita, sipas dëshmitarit, ka ndodhur në vitin 1998 në fshatin Negroc.

Dëshmitari më tej i është përgjigjur  pyetjeve të bëra nga trupi gjykues por që seanca kishte përmbajtje të redaktuar.

Nën këtë rrjedhë dëshmitari i 6-të ka përfunduar dhënien e deklaratës, ndërkohë që gjykimi është duke vijuar me dëshmitarin e shtatë të Prokurorisë Speciale.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.