Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-inspektorit për mbindërtimin në Prizren, mbrojtja kërkon që eksperti të japë sqarime shtesë

Gent Gjini, mbrojtës i të akuzuarit Nexhmedin Musliu, ish-inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, në seancën e sotme ka propozuar që të ftohet eksperti për të dhënë sqarime shtesë rreth ekspertizës.

Nexhmedin Musliu akuzohet se nuk ka inspektuar dhe nuk ka ndërmarrë veprime kundër mbindërtimit pa leje nga një investitor, i cili duke ndërtuar objektin ka tejkaluar lejen.

Deri tek ky propozim erdhi pasi që në gjykimin e kaluar ishte aprovuar propozimi i  përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, Blerim Mazreku, që me anë të ekspertizës të bëhet vlerësimi i dëmit.

Gjatë shqyrtimit të sotëm, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, konstatoi se në bazë të urdhëresës së lëshuar më 9 mars 2022 për sigurimin e ekspertizës të ndërtimtarisë janë siguruar dy ekspertiza.

Lidhur me këtë, pasi që në ekspertizë vlerësuan se ka mangësi, mbrojtësi Gent Gjini dhe i akuzuari Musliu propozuan që të ftohet eksperti për sqarime.

“Kam vërejtje në raportin e ekspertizës pasi që ka shumë mangësi, prandaj propozoj që të ftohet eksperti për të dhënë sqarime rreth raportit në fjalë”, tha i akuzuari Musliu.

Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi aprovoi propozimin e të akuzuarit që në seancën e datës 11 maj 2022 të ftohet eksperti Liman Mustafa.

Sipas aktakuzës të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, nga data 21 nëntor 2016 e në vazhdim, në Prizren, si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Musliu duke mos ndërmarrë veprime i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, për të cilën vepër penale parashihet dënim prej 6 muaj deri në 5 vite burgim.

Lidhur me akuzën në fjalë, ish-inspektori ishte deklaruar i pafajshëm.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.