Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-gjykatësit Sali Berisha për marrje ryshfeti, Gjykata refuzon kërkesën për administrimin e disa provave

Gjykata në Prishtinë ka vendosur lidhur me propozimet e palëve për administrim të provave në gjykimin e ish-gjyqtarit Sali Berisha, i akuzuar për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata mori aktvendim me të cilin refuzoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Sali Berisha, Besnik Berisha, që si prova të administrohen fletë-pagesat të cilat janë në gjuhën gjermane.

Gjithashtu Gjykata refuzoi propozimin ku mbrojtja  kërkoi që të administrohet si provë statusi i hetimeve te zhvilluara nga Visar Shala për rastin e paraqitur sipas raportit si dhe është refuzuar propozimi i mbrojtjes që si dëshmitarë të dëgjohen Visar Shala, Visar Krasniqi, Milaim Maloku dhe Florim Zekaj.

Si dhe është refuzuar propozimi i mbrojtjes që të kthehet telefoni i sekuestruar i tashmë të akuzuarit Sali Berisha, pasi që Gjykata deri më tani nuk ka pasur ndonjë kërkesë të veçantë nga Prokuroria për kthimin e telefonit.

Ndërsa është aprovuar propozimi i mbrojtjes që si provë të administrohet raporti njoftues me numër si në shkresat e lëndës.

Kujtojmë që në qershor të viti 2021, Gjykata e Prishtinës e kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria ndaj gjyqtarit Sali Berisha, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje.

Të pakënaqur me vendimin e Gjykatës së Prishtinës, Sali Berisha, përmes mbrojtësit të tij kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës, me anë të të cilit ishte konfirmuar aktakuza e ngritur ndaj gjyqtarit Sali Berisha.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i akuzuari Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i akuzuari ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar për dy vepra penale të kontrabandimit me emigrantë, ishte vëllai i dëshmitarit F. Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, ishte dakorduar që të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç ‘rast Berisha ka marrë aktgjykimin me të cilin i ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej 3 vjet, me kusht që brenda 2 viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.

Po ashtu, Prokuroria akuzon ish-gjykatësin Sali Berisha se deri më 19 shtator 2019 ka mbajtur armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8 mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha, në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar.