Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-drejtorit të Komunës së Prizrenit, eksperti tregon në bazë të cilave dokumente është kryer pagesa për tenderin

Në Gjykatën e Prizrenit në seancën e datës 30.10.2024, në rastin ku po gjykohet Osman Krasniqi, ish-drejtori i Komunës së Prizrenit, i akuzuar për keqpërdorim detyre, ka dhënë dëshmi eksperti Visar Bibaj.

Në këtë rast Krasniqi nga Prokuroria po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij në kuadër të tenderit “Furnizimi me zhavorr për rrugët e paasfaltuara të Komunës së Prizrenit”, kontratë kjo e lidhur mes Komunës së Prizrenit dhe operatorit ekonomik “EUROVIA-BI”.

Tenderi i lartcekur ka qenë i destinuar që ta shuajë zjarrin përmes transportimit të dheut në deponinë e fshatit Zhur.

Gjatë seancës, eksperti Bibaj ka deklaruar se pagesa në shumën prej 247,360.40 euro është realizuar në bazë të tri dokumenteve.

Në pyetjen e avokatit Ruzhdi Berisha se në çfarë dokumenti përfundimtar është bërë pagesa në shumën prej 247,360.40 euro, siç është konstatuar në konkluzionet e dhëna në ekspertizën e përpiluar, Bibaj deklaroi se pagesa është realizuar në bazë të tri dokumenteve.

“Pagesa nuk është realizuar përmes një dokumenti të vetëm, por është realizuar në bazë të tri dokumenteve, përkatësisht dy urdhër-blerjeve të datës 04.11.2021 dhe pagesat e datës 10.11.2021 dhe pagesat e datës 10.05.2022, të certifikuara nga Ministria e Financave – Thesarit, pas urdhrit përmbarimor, të cilat në detaje janë sqaruar në ekspertizë” – tha Bibaj.

Gjatë dhënies së deklaratës, eksperti Bibaj theksoi se dokumenti përfundimtar përmes të cilit kryhet pagesa, e cila është formë standarde e krijuar nga institucionet përkatëse dhe se i njëjti duhet të nënshkruhet nga personat përgjegjës, përfshirë edhe menaxherin e kontratës.

Kjo përgjigje u dha pas pyetjes nga avokati mbrojtës nëse dokumenti përfundimtar në të cilin bëhet pagesa është urdhër-blerja.

Tutje, eksperti Bibaj deklaroi se tri dokumentet apo tri urdhër-blerjet, të cilat janë nënshkruar nga zyrtarët përgjegjës të ZKA-së dhe ZKF-së të AK-së, sipas tij janë bërë dhe janë aprovuar me kërkesën e menaxherit të projektit, dhe në rastin konkret menaxheri i projektit ka qenë i akuzuari Krasniqi.

Rasti po gjykohet nga gjykatëset Raima Elezi, Teuta Krusha dhe Vjollca Buzhala.

Ndërsa, aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Mehdi Sefa.

Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi, për lidhjen e një kontrate në kundërshtim me procedurat e prokurimit, në kohën kur Komuna e Prizrenit udhëhiqej nga Mytaher Haskuka.

Ndërkaq, në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Prizrenit në vitin 2017, kishte kandiduar për kryetar të Komunës në kuadër të subjektit politik, AKR.

Sipas aktakuzës, Osman Krasniqi nga data 8 prill 2021 deri më 5 maj 2021, në cilësinë e drejtorit të Shërbimeve Publike ka tejkaluar detyrat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personat e tjerë-operatorin ekonomik “EURO-VIA”.

Sipas aktakuzës në kuadër të autoritetit kontraktues, menaxher i kontratës “Furnizimi me zhavorr për rrugët e paasfaltuara të Komunës së Prizrenit”, Krasniqi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik duke nxjerrë urdhra për operatorin e lartcekur.

Dosja më tej përshkruan se Osman Krasniqi ka mundësuar pagesat për operatorin ekonomik përkundër faktit se kontrata nuk ka parashikuar pozicionin e transportit dhe hedhjen e dheut në deponi.

“I akuzuari pranon faturat dhe mundëson pagesat nga pozicioni i pikës C shërbime me zhavorr në vlerën 8.02 euro për njësinë matëse m3, në kundërshtim me objektin dhe pozicionet e kontratës në të cilën ka qenë menaxher duke anashkaluar zyrën e prokurimit” – sqarohet në aktakuzë.

Prokuroria pretendon se me këto veprime i akuzuari e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit në vlerë prej 247.360,40 euro.

Për këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Raportimet e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.