Foto: KALLXO.com

Gjykimi i Goran Stanishiqit për krime të luftës në Sllovi të Lipjanit, jepet fjala përfundimtare

Në gjykimin e Goran Stanishiqit, i akuzuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Sllovi të Lipjanit, është dhënë fjala përfundimtare.

Prokurorja e rastit, Drita Hajdari, ka paraqitur fjalën përfundimtare me shkrim dhe të njëjtën e ka elaboruar verbalisht në seancën gjyqësore.

Ajo fillimisht theksoi se i qëndron në tërësi aktakuzës së ngritur më 6 shkurt 2020.

Ajo deklaroi se nga shqyrtimi gjyqësor, ajo çka është vërtetuar në mënyrë të pakontestueshme është që më 15 prill 1999 në fshatin Sllovi janë vrarë: M.G., O.G., E.G., B.H., A.G., F.B., R.K., A.I., I.B., J.K., M.P., B.G., e më 16 prill 1999 është vrarë Z.G. dhe është plagosur rëndë e dëmtuara A1.

Pikën e parë të aktakuzës  për vrasjen e 5 anëtarëve të familjes Gashi, më 15 prill 1999 në fshatin Sllovi, e mbështet në dëshmitë e dëshmitareve të dëgjuara në këtë shqyrtim gjyqësor Xh.G. dhe Z.H.

Prokurorja Hajdari theksoi se dëshmitë e këtyre dëshmitareve janë në përputhje të plotë njëra me tjetrën lidhur me faktet relevante se i akuzuari Goran Stanishiq ishte në mesin e personave të uniformuar të cilët vranë 5 anëtarët e familjes Gashi dhe ato janë mëse të sigurta në lidhje me këtë.

Pikën e dytë të aktakuzës në lidhje me vrasjen e F.B., që ka ndodhur po ashtu më 15 prill 1999, e mbështet në dëshmitë e dëshmitarëve F.G. dhe R.B.

Prokurorja Drita Hajdari tutje shtoi se dëshmitarët e mbijetuar i kanë treguar babait të F.B. se në mesin e tyre që kanë shtënë në drejtim të F.B., F.G. dhe R.B., e ku i vrarë ka mbetur F.B., ka qenë Goran Stanishiq.

Ndërsa për pikën e tretë të aktakuzës për vrasjen e gjashtë civilëve, prokurorja Drita Hajdari në fjalën e saj përfundimtare tha se gjatë vendosjes në lidhje me këtë krim duhet pasur parasysh skenën e krimit ku njerëzit ikin nga fshati, i largojnë nga kolona, 6 persona, 6 civilë i mbështetin për muri dhe i akuzuari është aty së bashku me të tjerë dhe ndihmon dhe merr pjesë në atë krim jo vetëm me prezencën e tij por ai aktivisht merr pjesë sepse kemi dëshmitarë që thotë se ai e ka ndal Jakupin nga kolona, e mbështet për muri ku ishin të mbështetur civilë shqiptarë dhe ata të gjithë vriten.

“Do të thotë se Goran Stanishiqin në atë ditë, në atë kohë, në vendin e krimit e kanë parë dëshmitarët, nuk e ka parë vetëm një, por e kanë parë disa dëshmitarë”, deklaroi prokurorja Hajdari.

Ndërsa për pikën e katërt të aktakuzës prokurorja tha se është një prej rasteve më tronditëse që ka hasur qëkur punon në fushën e krimeve të luftës.

Ajo tha se e mbështet këtë në dëshminë e të dëmtuarës A1, e cila kishte mbetur e plagosur atë ditë.

Prokurorja propozoi që alibia e paraqitur nga ana e të akuzuarit të refuzohet për shkak se ekzistojnë kundërthënie në dëshmitë e dëshmitareve të propozuar nga mbrojtja e të cilët janë familjarë të afërt të të akuzuarit e të cilët sipas saj është e arsyeshme ta mbrojnë atë.

Në fund të fjalës përfundimtare prokurorja Drita Hajdari ka kërkuar që i akuzuari duhet të shpallet fajtor për veprën për të cilën akuzohet.

Palët e dëmtuara në seancën e sotme janë deklaruar se e mbështesin në tërësi fjalën përfundimtare të prokurores. Ata deklaruan se e ndjejnë veten palë të dëmtuar por asnjëri nga ata nuk ka kërkuar kompensim pasuror-juridik, ata kanë kërkuar që i akuzuari të dënohet me dënim meritor.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Goran Stanishiq, avokati Lubomir Pantoviq në fjalën e tij përfundimtare, vuri në mëdyshje kredibilitetin e dëshmitarëve duke potencuar se në deklaratat e dhëna të këtyre dëshmitareve pas përfundimit të luftës, në UNMIK dhe para EULEX-it të njëjtit në asnjërën prej dëshmive të tyre nuk kanë përmendur emrin e tani të akuzuarit.

“Dëshmitë të cilat i ka ofruar prokuroria nuk janë bindëse ashtu siç pretendon Prokuroria, sepse ka mospërputhje dhe paqartësi në dëshmitë e dëshmitarëve”, deklaroi Pantoviq.

Avokati Pantoviq para trupit gjykues tha se nuk e mohon faktin se më 15 prill 1999 dhe më 16 prill 1999, në fshatrat e komunës së Lipjanit, të cekura në aktakuzë ka ndodhur vrasje e civilëve të pafajshëm.

Ai gjithashtu deklaroi se e di se familjet e të vrarëve e presin drejtësinë dhe e meritojnë drejtësinë, por nuk është drejtësi nëse fajësia është jashtë dyshimit të bazuar.

Në fund të fjalës së tij përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarit ka kërkuar nga trupi gjykues që i akuzuari Goran Stanishiq të lirohet nga aktakuzat dhe të shpallet i pafajshëm.

Ndërsa i akuzuari Goran Stanishiq deklaroi se e mbështet në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij dhe shtoi se ai nuk e ndjen veten fajtor dhe se nuk është fajtor. Ai gjithashtu tha se i vjen keq për të gjithë vendasit e tij nga Sllovia  mirëpo se nuk ështëfajtor dhe nuk i ka ndihmuar atij krimi në asnjë mënyrë.

Në fund ai kërkoi nga Gjykata që ta lirojë dhe ta shpallë të pafajshëm.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 5 tetor.