I akuzuari Dragisha Millenkoviq - Foto: KALLXO.com
Gjykimi i Dragisha Millenkoviqit për krime lufte, dëshmitari: I akuzuari dhe një shqiptar bashkë me të na kanë maltretuar në mënyrën më çnjerëzore
Në gjykimin e Dragisha Millenkoviqit, i akuzuar për krime lufte në Kosovë, në Gjykatën e Prishtinës në seancën e sotme, 12.11.2024, kanë dëshmuar tre dëshmitarë.
Dragisha Millenkoviq akuzohet se gjatë kohës së luftës, më 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.
I pari që dha dëshminë ishte dëshmitari Ramadan Nishori.
Ai tha se të akuzuarin e njeh që nga shtatori i vitit 1998, dhe deklaroi se në Burgun e Prishtinës kishte përjetuar tortura.
“Unë Dragisha Millenkoviqin e njoh nga data 28 shtator 1998, dita kur unë kam rënë në burg. Ka qenë gardian. Ky person, dhe një shqiptar bashkë me të, Gani Tara, na kanë maltretu në mënyrën më çnjerëzore, në fillim duke na nxjerrë nga autobusi për me na çu në burg, aty në burg të Prishtinës. Edhe Gani Tara ka sjellë me çelës, ka qenë çelës i madh. Ky person edhe me të tjerët na ka maltretu, na ka rrahë… na kanë shti në banjo, na kanë la me ujë të ftoftë edhe qashtu të lagët sa kanë mujtë me na rrehë”- deklaroi dëshmitari Ramadan Nishori.
Dëshmitari deklaroi se është 100 për qind i sigurt që i akuzuari Millenkoviq i ka bërë këto tortura.
“Jo 100 për qind, po 1,000 për qind i sigurt” – deklaroi dëshmitari Ramadan Nishori.
Tutje, dëshmitari deklaroi se rrahja e tyre kishte qenë vetëm pse ishin shqiptarë.
“Vetëm pse jemi shqiptarë, sipas tyne ne jemi terroristë…”-deklaroi dëshmitari Nishori.
Dëshmitari Nishori deklaroi se në Burgun e Prishtinës ishte maltretuar nga i akuzuari Millenkoviq, ndërsa në Burgun e Lipjanit jo ngase i akuzuari Millenkoviq nuk kishte qenë përgjegjës në pavijonin ku kishte qenë ai.
“Në Lipjan e kam pa ama ky person në Lipjan nuk më ka maltretu”- tha dëshmitari Ramadan Nishori.
Dëshmitari deklaroi se në Burgun e Lipjanit kishin qëndruar deri më 10 qershor 1999, pastaj i kishin transferuar në Nish.
Tutje, dëshmitari Ramadan Nishori tha se kishte parë në media në Facebook kur i akuzuari Dragisha Millenkoviq ishte arrestuar dhe se për këtë kishte bërë koment mbi lajmin që i njëjti ishte arrestuar.
Dhe tha se pas kësaj atë e kishte thirrur Policia e Kosovës për të dhënë deklaratë.
Gjatë dhënies së dëshmisë së dëshmitarit Ramadan Nishori, seanca për një kohë u mbyll për publikun.
Tutje, seanca vazhdoi në sesionin e pasdites me dhënien e dëshmisë së dëshmitarit Xhavit Zariqi.
Ai deklaroi se ishte arrestuar në qershor të vitit 1998 dhe se akuzohej për terrorizëm.
Dëshmitari Zariqi deklaroi se sjellja e gardianëve kishte qenë shume e keqe dhe se gjatë asaj kohe nuk kishin pasur as ushqim të mjaftueshëm.
“Gjatë asaj kohe sa kam qëndru aty në burg vështirë përshkruhet se ka qenë tmerr i vërtetë, vetëm ata që kanë qenë aty mund ta kuptojnë realitetin, sepse gjatë gjithë kohës ka pasë dhunë, torturë, s’ka pasë ushqim të mjaftueshëm” – deklaroi dëshmitari Zariqi.
Dëshmitari Xhavit Zariqi për të akuzuarin Millenkoviq deklaroi se nuk e njeh personalisht as si emër dhe as si figurë.
Në seancën e së martës u dëgjua edhe dëshmitari Ylber Topalli.
Dëshmitari Topalli deklaroi se ishte arrestuar në qershor të vitit 1998 dhe kishte qenë i akuzuar për terrorizëm.
Dëshmitari Topalli deklaroi se e kishin dërguar edhe në Burgun e Beogradit dhe aty kishte pasur tortura dhe maltretime të shumta.
Dëshmitari Ylber Topalli gjatë deklarimit të tij tha se të akuzuarin Millenkoviq e kishte parë 3 herë.
I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Millenkoviq, avokati Dejan Vasiq, lidhur me identifikimin e të akuzuarit Millenkoviq në Polici, dëshmitari Topalli tha se atë ka mundur ta identifikojë vetëm në profilin anësor ndërsa përballë jo. I njëjti shtoi se si detaj kishte mbajtur mend nofullën e të akuzuarit Millenkoviq.
Avokati Dejan Vasiq pati vërejtje ndaj trupit gjykues gjatë dëshmisë së dëshmitarit Topalli, duke aluduar se po përgjigjen për të.
Lidhur me vërejtjen e avokatit Vasiq kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, tha se vetëm po e konstaton dëshminë e dëshmitarit dhe nuk po përgjigjet për të.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës seanca e sotme u ndërpre.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Millenkoviq po akuzohet se në luftën e fundit, në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.
Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 21.06.2023, e për arrestimin e tij ishte protestuar në Graçanicë.
Millenkoviq ishte sjellë më 22.06.2023 para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit.
Millenkoviq akuzohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga Burgu i Dubravës në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit i ka detyruar të burgosurit të kalojnë përmes një kordoni dhe të njëjtit i kishte goditur me shkop, grushte dhe shqelma.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të burgosurit në mënyrë sistematike ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore, duke u torturuar, maltretuar, kanosur me jetë e kështu duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja në shëndet
Përveç kësaj, mbi të burgosurit sipas dosjes së Prokurorisë ishte ushtruar edhe dhunë psikike.
Këto veprime, Millenkoviq akuzohet se i ka kryer në bashkëpunim me tre zyrtarë të tjerë ndër të cilët ish-drejtori i Burgut të qarkut të Prishtinës, Lubomir Cimburoviq, si dhe gardianët Predrag Bradiq dhe Milivoje Iliq.
Sipas prokurorit Atdhe Dema, këto veprime janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Gjenevës.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.
Ky artikull është mundësuar përmes mbështetjes së YIHR KS si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e Internews Kosova dhe nuk reflekton pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ose Nismës së të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YIHR KS).