Foto: KALLXO.com
Gjykimi i Dragisha Millenkoviqit për krime lufte, dëgjohet dëshmia e dy dëshmitarëve, njëri prej tyre deputet i PDK-së
Dragisha Millenkoviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë, është ulur edhe sot, më 11.11.2024, në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Prishtinës.
Dragisha Millenkoviq nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në luftën e fundit, në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.
Në seancën e sotme ka dëshmuar dëshmitari Isak Shabani (aktualisht deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës).
Dëshmitari tregoi se ishte arrestuar më 07 shkurt 1997 në Prishtinë.
Ai tha se kishte qenë i kidnapuar 5-6 ditë nga Sigurimi Shtetëror si dhe kishte pasur maltretime të jashtëzakonshme.
“Unë jam arrestuar më 07 shkurt 1997 në Prishtinë. Kam qenë i kidnapuar diku 5-6 ditë nga Sigurimi Shtetëror, ku kam pasë maltretime të jashtëzakonshme. Përveç dhunës fizike kam përjetu edhe dhunë me elektroshok. Më kanë mbajtur 5-6 ditë të zhveshur… Shufra e gomës është thyer në trupin tim”- deklaroi dëshmitari Isak Shabani.
Dëshmitari deklaroi se më 24 maj 1999 i kishin transferuar në Burgun e Lipjanit.
“Diku më 24 maj 1999 jemi kthy në Burgun e Lipjanit dhe aty, me thënë të drejtën, sot befasohem se mbas përjetimit të pushkatimit që jemi gjithë këta dëshmitarë të gjallë e pyes veten… unë një rast në autobus kur na kanë transferu nga Dubrava në Lipjan pasi edhe gjuhën serbe e dija e dëgjova një gardian kah thoshte: “Mjaft kena mbytë“- deklaroi dëshmitari Isak Shabani.
Tutje, dëshmitari deklaroi një moment kur e kishte përjetuar shumë rëndë, kur ishte detyruar të hiqte fotografinë familjare.
“Më së rëndi e kam përjetu një moment kur kanë kërku me i zbrazë të gjithë xhepat, mendojshin mos kemi pare. Mu ka dashtë me hjekë fotografinë familjare”- tha dëshmitari Shabani.
Dëshmitari deklaroi se në Burgun Lipjanit nuk kishin pasur ushqim.
“Na e sillnin një gotë që ata i thoshin supë, po në fakt nuk shifshim asnjë pjesë të supës po vetëm ujë, atë gjysë gote 5 veta e kemi pi. Na jepshin vetëm një copë buke të vogël, qat pjesë të bukës u dashke me lagë me qat ujë të supës” – deklaroi dëshmitari Isak Shabani.
Dëshmitari Shabani deklaroi se në Burgun e Lipjanit kishin qëndruar deri më 10 qershor 1999 dhe pastaj ishin transferuar në Burgun e Nishit deri në lirimin e tij më 2001.
Ai tutje deklaroi se në Burgun e Nishit kishin qenë shumë të uritur dhe nuk kishin pasur ushqim të mjaftueshëm.
“Në Burgun e Nishit e jashtëzakonshme ka qenë uria, së paku 6 muaj ditë kurrë nuk jena ngi bukë. Dëshira ime e vetmja në jetë ka qenë a do të mundem ndonjëherë me u ngi bukë”- deklaroi dëshmitari Isak Shabani.
Dëshmitari Shabani deklaroi se i kujtohet i akuzuari Dragisha Millenkoviq.
“Unë thash personalisht më kujtohet saktësisht ky Dragisha në Burgun e Prishtinës, sjelljet e tij. Një herë më duket, po nuk mundem më thënë në saktësi, se ka marrë pjesë në rrahjen time, me Bradiqin”- deklaroi dëshmitari.
Në pyetjen e prokurorit Atdhe Dema se gjatë qëndrimit të tij në Burgun e Lipjanit a e kishte parë të akuzuarin Dragisha Millenkoviq, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.
“Jo, nuk më kujtohet… se ka qenë një periudhë e shkurtë 24 maj – 10 qershor, ka pasë me qindra e mijëra të burgosur, edhe kështu që nuk më kujtohet veçënarisht që kam pasur kontakt me të”- u përgjigj dëshmitari Shabani.
Tutje gjatë seancës u dëgjua edhe dëshmitari Muja Prekupi.
Dëshmitari Muja Prekupi deklaroi se ishte arrestuar më 28 janar 1997 dhe arsyeja e arreestimit të tij kishte qenë për shkak të veprimtarisë së tij politike.
Dëshmitari Prekupi deklaroi se kishte pasur momente kur zyrtarët e burgut ishin sjellë në mënyrë shumë të vrazhdë.
Dëshmitari deklaroi se kur ishin transferuar nga Burgu i Dubravës për në Burgun e Lipjanit kishin pasur rrahje nga gardianët.
Dëshmitari Muja Prekupi deklaroi për të akuzuarin Dragisha Millenkoviq se e njeh, dhe shtoi se i njëjti nuk e kishte maltretuar.
“E njoh si punëtor i shërbimit korrektues, gardian asokohe, nuk kam vërejtje, as nuk më ka maltretu, as nuk më ka goditë asnjëherë” – tha ai.
“Kurse Dragisha ka qenë shumë aktiv kur i kanë sjellë të burgosurit e Rahovecit”- shtoi tutje dëshmitari Prekupi.
Dëshmitari Prekupi deklaroi se trajtimi në burg kishte qenë i keq dhe pastrimi kishte qenë një herë në javë.
“Pastrimi ka qenë një herë në javë. Kur janë rëndu rrethanat jashtë ka kalu dyjavëshi. Ka pasë raste kur ka pasë mjaftueshëm ushqim po nuk na kanë dhënë neve”- deklaroi dëshmitari Muja Prekupi.
Ndryshe në sesionin e paradites ishte paraparë të dëgjohej edhe një dëshmitar tjetër, mirëpo në mungesë të tij seanca e sotme u ndërpre.
Seancat e tjera lidhur me këtë rast do të vazhdojnë në ditët në vazhdim.
Trupi gjykues i cili po gjykon këtë çështje përbëhet nga Kujtim Krasniqi – kryetar, dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Arben Hoti.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Millenkoviq po akuzohet se në luftën e fundit, në vitin 1999, në cilësinë e personit zyrtar në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit ka kryer veprime të cilat cilësohen si krime lufte ndaj popullatës civile.
Ai ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 21.06.2023, e për arrestimin e tij ishte protestuar në Graçanicë.
Millenkoviq ishte sjellë më 22.06.2023 para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit.
Millenkoviq akuzohet se pasi që janë transferuar të burgosurit nga Burgu i Dubravës në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit i ka detyruar të burgosurit të kalojnë përmes një kordoni dhe të njëjtit i kishte goditur me shkop, grushte dhe shqelma.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të burgosurit në mënyrë sistematike ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore, duke u torturuar, maltretuar, kanosur me jetë e kështu duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja në shëndet
Përveç kësaj, mbi të burgosurit sipas dosjes së Prokurorisë ishte ushtruar edhe dhunë psikike.
Këto veprime, Millenkoviq akuzohet se i ka kryer në bashkëpunim me tre zyrtarë të tjerë ndër të cilët ish-drejtori i Burgut të qarkut të Prishtinës, Lubomir Cimburoviq, si dhe gardianët Predrag Bradiq dhe Milivoje Iliq.
Sipas prokurorit Atdhe Dema, këto veprime janë në kundërshtim me Konventën Ndërkombëtare të Gjenevës.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në link.
Ky artikull është mundësuar përmes mbështetjes së YIHR KS si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e Internews Kosova dhe nuk reflekton pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ose Nismës së të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YIHR KS).