Gjykimi i Donjeta Pajazitaj, Kryeplaku i fshatit Strellc : "Kam qenë në presion dje në gjykatë"

Në Gjykatën Themelore të Ferizajt, ku po zhvillohet gjykimi lidhur me vrasjen e Donjeta Pajazitajt, dje është arrestuar Haki Pajazitaj.

Arrestimi i tij ka ndodhur pasi deklaratat e tij të dhëna në Prokurori e Polici, binin ndesh me atë që e ka thënë gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Sot Haki Pajazitaj është deklaruar për këtë çështje para prokurores.

Avokatja e tij, Aurora Mulhaxha tha se dje ka qenë një keqkuptim dhe se sot i mbrojturi i saj është liruar pasi ka hyrë në marrëveshje për pranim të fajësisë.

“Sot para prokurores Valbona, i mbrojturi im ka shprehur keqardhje dhe është liruar në procedurë të rregullt”, tha Mulhaxha për KALLXO.com.

Sipas saj Haki Pajazitaj ka qenë dje në presion kur ka bërë ndryshimin e deklaratës.

Naser Pajazitaj akuzohet se në mënyrë dinake e kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, e cila ditën kritike ishte duke shkuar në punë.

Sipas Prokurorisë përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën me ç`rast e kishte dërguar tek vendi ‘Kroi i lajthisë’, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte privuar nga jeta.

Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila ishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.

Pas rigjykimit, Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Tutje, Gjykata e Pejës kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njëri tjetrin, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.

Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës se Pejës (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm), lënda është duke u gjykuar në Gjykatën e Ferizajt.