Foto-ilustrim

Gjykimi i Dhurata Hoxhës, eksperti financiar: Ish-ministrja nuk ka pasur kompetenca për përzgjedhje të procedurës së prokurimit

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca e radhës e gjykimit të ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ish-drejtorit të prokurimit publik, Fitim Mustafa dhe tre ish-sekretarëve të kësaj Ministrie, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë rast, ata po akuzohen për kontratën lobuese, konkretisht se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke u mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomikë përfitimin e dobisë pasurore në një kontratë për lobim.

Gjykata e Prishtinës ka autorizuar ekspert financiar dhe ka obliguar atë që të trajtojë 4 kontrata, të cilat i ka nënshkruar MIE për çështjen për lobim dhe publikim.

Në Gjykatën e Prishtinës më 12 dhjetor është mbajtur seanca dhe është dëgjuar eksperti Agim Sheqiri, i cili u është përgjigjur pyetjeve të prokurorit të rastit Dren Paca dhe ka shpjeguar procedurat e prokurimit publik.

Eksperti ndër të tjera konstatoi se ministrja Hoxha nuk ka pasur kompetencë të bazuar me ligj për inicim të procedurave dhe përzgjedhjen e tyre për prokurim publik.

“Në këtë çështje roli i ministres nuk ka kompetencë, as për caktim të procedurës, as kërkesë e as autorizuese dhe roli i saj është i ndarë në këtë çështje. Asnjë dispozitë e Ligjit për prokurim publik e as rregullat financiare nuk ia jep kompetencën ministres për inicimin e procedurave apo aprovimi apo autorizimin” – tha eksperti në seancë.

Dhurata Hoxha bashkë me drejtorin e prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës për lobim me kompaninë franceze.

Aktakuza ndaj tyre u ngrit pasi vitin e kaluar KALLXO.com kishte shfaqur hulumtimin se si paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve.

Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi. Asokohe, kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, Kushtrim Cukaj dhe Fitim Mustafa  po i akuzon se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre duke nënshkruar kontrata me vlerë disa mijëra euro dhe duke i mundësuar operatorëve të ndryshëm ekonomik përfitimin e dobisë pasurore.

Më 1 shtator 2021 ish-ministrja dhe zyrtarët e tjerë u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Kontrata për lobim, Dhurata Hoxha rrezikon të dënohet deri në 10 vite burg

Hulumtimin e plotë mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm.

Paratë e taksapaguesve u përdorën për të lobuar për ndryshim të kufijve