Foto: KALLXO.com
Gjykimi i Azem Sylës dhe 17 të tjerëve në rastin “Toka”, japin fjalën përfundimtare edhe 10 të akuzuar
Procesi gjyqësor i njohur si rasti “Toka”, në të cilin rast të pandehur janë Azem Syla dhe 17 persona të tjerë, i është afruar fundit.
Seanca e sotme, 10.12.2024, në Gjykatën e Prishtinës, ka vazhduar me dhënien e fjalës përfundimtare të dhjetë të akuzuarve të tjerë.
I pari që paraqiti fjalën përfundimtare ishte mbrojtësi i të akuzuarit Lubisha Vujoviq, avokati Zhivojin Jokanoviq.
Në fjalën përfundimtare avokati tha se sipas kuptimit të mbrojtjes dhe besimit të thellë që ka, mungojnë provat formale, dhe shtoi se të akuzuarit nuk janë takuar asnjëherë së bashku dhe se nuk kanë përgatitur ndonjë plan apo çkado tjetër.
Ndërsa i akuzuari Lubisha Vujoviq deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij dhe kërkoi nga trupi gjykues që të lirohet nga akuza.
Mbrojtësi i të akuzuarit Sabedin Haxhiu, avokati Tomë Gashi, fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, dhe tha së është i bindur se Gjykata do të nxjerrë aktgjykim të drejtë dhe të ligjshëm. I akuzuri Sabedin Haxhiu deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të avokatit të tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit Avni Maxhuni, avokati Muhamet Humolli, fjalën përfundimtare e dorëzoi më shkrim dhe kërkoi nga Gjykata që të mbrojturin e tij ta shpallë të pafajshëm duke shtuar se me asnjë provë nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Lirim nga akuza ka kërkuar edhe i akuzuari Avni Maxhuni. I njëjti deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të avokatit të tij dhe kërkoi nga Gjykata që ta shpallë të pafajshëm.
Aktgjykim lirues për të mbrojturit e tyre kanë kërkuar edhe avokatët e të akuzuarve të tjerë.
Mbrojtësi i të akuzuarës Elheme Uka, avokati Ragip Zeneli, mbrojtësja e të akuzuarës Lumnije Sopjani, avokatja Xhevahire Klopner, mbrojtësi i të akuzuarës Nyrtene Brajshori, avokati Berat Tmava, fjalën përfundimtare e dorëzuan me shkrim dhe kërkuan nga Gjykata aktgjykim lirues për të mbrojturit e tyre.
Ndërsa të akuzuarit e lartcekur deklaruan se e mbështesin fjalën përfundimtare të avokatëve të tyre.
Ngjashëm si avokatët më lart aktgjykim lirues nga Gjykata kërkuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve Sami Maqedonci, avokati Basri Morina, Ndue Palushi, avokati i tij Avni Koliqi, Ramadan Mavraj, avokati i tij Sylejman Nuredini dhe mbrojtësi i të akuzuarit Vidosav Novakoviq, avokati Fitim Maloku.
Të njëjtit fjalën përfundimatre e dorëzuan me shkrim dhe kërkuan nga Gjykata aktgjykim lirues për të mbrojturit e tyre. Ndërkaq të akuzuarit u deklaruan se i mbështesin fjalët përfundimtare të mbrojtësve të tyre.
Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet brenda muajit dhjetor.
Trupi gjykues në këtë çështje penale po udhëhiqet nga Arben Hoti – kryetar i trupit gjykues, dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Lutfi Shala.
Në këtë proces të akuzuar janë Azem Syla, Artan Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Vidosav Novakoviq dhe Ilaz Syla.
Rasti ishte duke u gjykuar nga gjyqtarë të misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë – EULEX, por më pas lënda ishte bartur në duart e drejtësisë vendore.
Tetë vite pas, sistemi i drejtësisë nuk ka arritur ende që t’i vërë pikën këtij rasti maratonik, pasi që seancat në vazhdimësi janë shtyrë ose kanë dështuar të mbahen.
Përveç Azem Sylës janë të akuzuar edhe 17 persona tjerë. Sipas organit të akuzës, të akuzuarit kanë lidhje në një formë ose tjetrën në rastin “Toka”.
Rasti numëron dhjetëra seanca të shtyra ose të dështuara që nga nisja e gjykimit për herë të parë.
Azem Syla dhe të tjerët akuzohen nga Prokuroria se si grup i organizuar kriminal kishin bashkëpunuar mes vete me qëllim që përmes falsifikimit të vendimeve dhe dokumenteve zyrtare t’i privonin Kosovës disa prona shoqërore.
Azem Syla në prill të këtij viti ka mbushur 73-vjeç. Ai ishte arrestuar më 2016-ën, kur ishte 65-vjeçar.
Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave. Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Aktakuza e dytë është ngritur nga i njëjti prokuror, i cili akuzon 17 persona për pastrim të parave. Mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve, kurse për Ilaz Sylën dhe Vidosav Novakoviqin, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit e tjerë meqë është i njëjti rast.
Sipas Prokurorisë, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.
Në vitin 2022, të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me rastin “Toka” mund t’i lexoni duke klikuar në këtë LINK.