Foto: KALLXO.com

Gjykimi i 4 të akuzuarve për sulmin kundër zyrave të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut, dëshmitari: Asnjëherë në jetën time më në rrezik s’kam qenë

“Të shtënat kanë qenë rafalë nga armë të zjarrit, shpërthimet kanë qenë të fuqishme, nuk mund ta di a kanë qenë bomba a shok-bomba. Asnjëherë në jetën time më në rrezik se atë ditë s’kam qenë”.

Kështu deklaroi dëshmitari Bajram Hajdari në gjykimin ndaj 4 të akuzuarve për sulm me granata në zyrat e KKZ-së në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022.

Të akuzuar në këtë rast janë Millun Milenkoviq, i njohur si “Llune”, dhe ish-policët Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq.

Në seancën e datës 11.10.2024 ka dhënë dëshminë e tij  dëshmitari Bajram Hajdari, i cili në atë kohë kishte qenë ushtrues detyre i kryesuesit të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut.

I pyetur nga prokurori special Bekim Kodraliu lidhur me ngjarjen, dëshmitari  Bajram Hajdari deklaroi se në ditën kritike kur kishte shkuar për të hapur zyrat e KKZ-së kishte parë që xhamat dhe dritaret e zyrës kishin qenë të dëmtuar dhe përderisa ata kishin tentuar ta hapnin derën kishin filluar të shtënat dhe shpërthime të fuqishme.

“Ne kemi provu me e hapë derën por ka qenë e pamundur për shkak që dera ka qenë e metaltë dhe ka qenë me një dry të madh, ndërkohë, derisa ne kemi bërë përpjekje me e hapë derën kanë fillu të shtënat dhe disa shpërthime të fuqishme. Pas një kohe kemi qëndruar 20 minuta, të shtënat kanë vazhdu. Kur Policia ka vlerësu që jeta jem dhe e të tjerëve është në rrezik atëherë ka kërku prej neve që prapë të kthehemi në jug”- deklaroi dëshmitari Bajram Hajdari.

Tutje dëshmitari deklaroi se në ditën kritike ishin sulmuar nga një grumbull personash të cilët kishin qenë të maskuar dhe ata iu kishin hedhur mjete të rrezikshme.

“Fillimisht na kanë ardhë mbrapa ndërtesës/banesës, pastaj prej asaj pjese kanë dalë një grumbull njerëzish, të cilët kanë qenë të maskuar, dhe kanë dalë në rrugën kryesore e cila të shpie në Suhodoll, ku kemi qenë edhe ne. Kanë qenë të gjithë të maskuar, nga cepi i banesës kanë gjujtë në drejtim tonin gjësende, gurë, prej atij cepi kanë hedhur bomba, shok –bomba, kur kanë fillu me ardhë në drejtimin tonë, Policia ka vendosur me na tërheqë”- deklaroi dëshmitari Bajram Hajdari.

Tutje, dëshmitari Bajram Hajdari deklaroi se personat e kanë pasur fytyrën e mbuluar me maska, kapela, shamia, si dhe maska mjekësore.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj, se a kishte pasur edhe persona të pamaskuar, dëshmitari tha se me sa i kujtohet “kanë qenë 3-4 femra dhe ndoshta ato nuk kanë qenë të maskuara, të tjerët me maska, ashtu e kam parë”.

Tutje, seanca vazhdoi me diskutimin e kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit Aleksandar Vllajiq, avokatit Millosh Deleviq, për mbylljen e seancës së radhës, kur në këtë seancë parashihet të dëgjohet një dëshmitar i propozuar nga ana e mbrojtjes.

Sipas kërkesës së mbrojtjes, seanca duhet të jetë e mbyllur pasi që, sipas tij, do të rrezikohej jeta e dëshmitarit dhe familjes së tij.

Ndërsa lidhur me propozimin e mbrojtjes prokurori special Bekim Kodraliu pati kundërshtime bazuar në dy baza ligjore.

Sipas prokurorit, kjo kërkesë e mbrojtjes për anonimitet konsiston në alibinë e të akuzuarit Vllajiq, e që sipas tij është në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe pasi që, sipas tij, mbrojtja nuk e ka precizuar vendin ku ka qenë i pandehuri në kohën e kryerjes së veprës penale.

Tutje, prokurori Kodraliu tha se seanca duhet të jetë publike dhe e njohur për publikun e gjerë dhe propozoi që të dëgjohet një dëshmitar i ri.

Tutje, trupi gjykues aprovoi kërkesën e mbrojtjes për mbylljen e seancës së radhës, në të cilën do të dëgjohet dëshmitari i propozuar nga mbrojtja.

Po ashtu trupi gjykues aprovoi edhe propozimin e prokurorit për dëgjimin e një dëshmitari, duke vlerësuar se dëshmia e tij është relevante për procesin gjyqësor.

Tutje prokurori Kodraliu shtoi se lidhur me propozimin e mbrojtjes sa i përket zëvendësimit të masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë për të akuzuarit, tha se Prokuroria e kundërshton tërësisht këtë propozim për faktin se sipas tyre ekziston akoma rreziku që të njëjtit mund të arratisen pasi që posedojnë dy nënshtetësi.

Ndërsa lidhur me këtë trupi gjykues njoftoi se do të merret një aktvendim i posaçëm lidhur me këtë kërkesë.

Kujtojmë së të akuzuarit Millun Milenkoviq, i njohur si “Llune”, dhe ish-policët Aleksandar Vllajiq, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq ishin deklaruar të pafajshëm.

Kjo çështje po gjykohet nga Valon Kurtaj- kryetar, Violeta Namani- Hajra dhe Arben Hoti anëtarë të trupit gjykues.

Kallxo.com kishte siguruar dosjen e Prokurorisë në të cilën përshkruhen në detaje veprimet e katër të akuzuarve në ditën kritike si dhe komunikimet e tyre elektronike.

“Prej sot zyrtarisht unë jam zëvendëskomandant i ‘Brigadës së veriut’… Nuk ka tani ‘Mbrojtje civile’, tani ka ‘Brigadë të veriut’”- ishte një prej mesazheve të cilat në dosje thuhet se i janë nxjerrë nga telefoni i të akuzuarit Millun Milenkoviq.

“Aty shkunden dardhat… ti gjuaju ndonjë mollë”- ishin mesazhet e këmbyera mes Dejan Pantiqit dhe Miomir Vakiqit, sipas dosjes, duke aluduar për vendndodhjen e Policisë dhe hedhjen e mjeteve shpërthyese.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit sulmin e kanë kryer me dy granata dore dhe dy shok-bomba.

Shok-bombat kishin shpërthyer ndërsa vetëm një granatë dore jo, kështu duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të KQZ-së dhe policëve.

Granatat sipas dosjes i ka marrë i akuzuari “Llune” nga një ambulancë me sinjale alarmuese.

Ambulanca në fjalë thuhet në dosje të jetë parë vetëm pesë minuta para ngjarjes kritike duke shkuar me shpejtësi të madhe drejt vendit ku ndodhi sulmi. Kjo pamje është kapur nga kamerat e sigurisë të Prokurorisë së Mitrovicës.

Sipas deklaratës së Milenkoviqit në Prokurori, në ambulancë kanë qenë shokët e tij të cilët ai i kishte përshëndetur, por nuk kishte marrë granata nga ta dhe në vendin e ngjarjes ishte afruar nga kureshtja.

Ndër provat e paraqitura në aktakuzë figuron edhe një postim i të akuzuarit “Llune”, përmbajtjen e të cilit Prokuroria e ka cilësuar si inkriminuese.

“Nëse më arrestojnë, gjuani në drejtimin tim, gjuani në veturën në të cilën jam edhe unë, çojeni në ajër dhe në rast se duhet edhe mua të më vritni. Vetëm mos i lejoni të më çojnë të gjallë”- ishte përshkrimi i fotos së postuar nga Milenkoviq dy javë para sulmit.

Po ashtu, në dosje thuhet se katër të akuzuarit këto veprime i kanë kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët akoma janë të paidentifikuar.

Fillimisht të akuzuarit kishin thyer dritaret e zyrave me gurë, duke mundësuar kështu hedhjen e mjeteve shpërthyese brenda në lokal.

Më tutje dosja thotë se ka qenë edhe një përpjekje për ndezjen e një zjarri përmes hedhjes së një mollotovi.

E tërë kjo, sipas dosjes, thuhet të ketë qenë me qëllim të frikësimit të popullatës dhe shkatërrimit të strukturave politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës përmes pamundësimit të zgjedhjeve lokale.

Kujtojmë se i akuzuari Millun Milenkoviq është i dyshuar edhe për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në trazirat e majit të vitit që shkoi në veri të vendit, për çka edhe ishte arrestuar në qershor të atij viti.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se Milenkoviqi i kishte rezistuar arrestimit gjë e cila ka rezultuar me lëndime trupore tek policët si dhe vetë i akuzuari.

I njëjti gjatë deklaratës së dhënë në Prokurori ka mohuar se ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj zyrave të KQZ-së për të cilin po akuzohet.

“Llune” për momentin ndodhet nën masën e paraburgimit.

Dejan Pantiq është i akuzuari tjetër, i arrestuar në dhjetor të vitit 2022, ndërsa përmes 30 mijë eurosh dorëzani ndodhet në liri që nga shtatori i vitit 2023.

Njëlloj si “Llune”, edhe Pantiq në Polici ka mohuar përfshirjen në sulmin terrorist që i vihet në barrë.

Kur ishte ballafaquar me mesazhet që i janë gjetur në telefon, Pantiq kishte thënë se “aty shkunden dardhat” ka implikuar se Policia mund të kenë pasur ftohtë. Ndërsa shtoi se nuk e di se çfarë ka dashur të thotë i akuzuari Vakiq me mesazhin “hidhjani nga një mollë”.

Miomir Vakiq po ashtu gjatë deklaratës në Polici kishte mohuar veprimet inkriminuese të cilat rëndojnë mbi të.

Në kontekstin e mesazheve telefonike, Vakiq kishte deklaruar se nuk ka pasur qëllime keqdashëse.

Po ashtu edhe i akuzuari Aleksandar Vllaiq kishte mohuar akuzat. Ai po ashtu ka mohuar edhe të jetë pjesë e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.