Foto: KALLXO.com

Gjykimi i 4 mjekëve, bashkëshorti tregon për momentet e përkeqësimit të gjendjes së bashkëshortes para se të vdiste

Në gjykimin e mjekëve Vjosa Zejnullahu, Myzeine Muja, Selman Demolli dhe Bashkim Sheholli, të cilët po akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, ka vazhduar dëshminë e tij bashkëshorti i të ndjerës S.F., Nazmi Fazliu.

Në seancën e datës 12.09.2024, në Gjykatën e Prishtinës, dëshmitari Nazmi Fazliu është pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarës Vjosa Zejnullahu, avokati Florent Latifaj, se kur i kishte filluar gjakderdhja bashkëshortes së tij.

Dëshmitari u përgjigj se gjakderdhja i kishte filluar në mëngjes mirëpo saktë nuk i kujtohej.

“Gjakderdhja nga hunda dhe nga goja siç e kam cekë ka filluar kur ju ka bë CT në Emergjencë, dhe nuk e di saktë kur, por me sa më kujtohet ka qenë ora 23:00 e diçka”- tha dëshmitari Nazmi Fazliu.

Ndërsa i pyetur se a kishte qenë e akuzuara Vjosa Zejnullahu kur ishte kthyer prej repartit të Neurologjisë, dëshmitari tha se po, kishte qenë.

“Po ka qenë doktoresha Vjosa mbështetur për radiatori me telefon, dhe po ashtu kanë qenë mjekët e tjerë dhe motrat në pjesën tjetër në atë dhomë”- tha dëshmitari Fazliu.

Tutje, dëshmitari deklaroi se kur ishte kthyer, afër tani të ndjerës, nuk kishte qenë asnjë mjek.

“E kam cekur edhe më herët në deklaratë, kur jam kthy afër S.F., afër krevatit të saj, nuk ka qenë asnjë mjek”- deklaroi dëshmitari.

“Po të njëjtit kanë qenë në të njëjtën dhomë, por në pjesë tjera, iu kom drejtu: “Çka jeni tu bë këtu?”. Në video-incizim vërehet se asnjë mjek nuk është afër saj” – shtoi tutje bashkëshorti i të ndjerës në pyetjet e avokatit Latifaj.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Selman Demolli, avokati Besnik Berisha lidhur me atë se kush prej familjarëve të tij kishte dhuruar gjak, dëshmitari deklaroi se nipi i tij e kishte siguruar.

“Nipi im e ka siguruar, por nuk jam në dijeni kush e ka dhënë”- tha dëshmitari Fazliu.

Ndërsa avokati i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha, tha se qeset e gjakut të cilat i ka marrë e ndjera nuk gjenden askund.

Avokati Berisha shtoi se qeset e gjakut duhet të ruhen në dy vende.

Gjatë dhënies së dëshmisë nga dëshmitari Nazmi Fazliu, në pyetjet e parashtruara nga avokatët Besnik Berisha dhe Florent Latifaj lidhur me këtë rast pati disa herë kundërshtime për pyetjet e mbrojtjes nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokatit Asdren Hoxha, dhe prokurores së rastit Javorka Përlinçeviq.

Tutje, avokati Besnik Berisha në fund të seancës pati vërejtje procedurale lidhur me trupin gjykues, kryetarin e trupit gjykues, Avni Syla, dhe anëtarët Sulltane Hoti dhe Alban Ajvazi.

“Unë kam vërejtje që vendimet procedurale po merren vetëm nga kryetari i trupit gjykues. Dhe kërkoj që ato të merren nga i gjithë trupi gjykues”- tha avokati Besnik Berisha.

Ndërsa lidhur me këtë vërejtje të avokatit Berisha, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Syla, tha se ka raste kur edhe ne i planifikojmë raste kur i marrin vendimet procedurale si trup gjykues po jo në çdo situatë duhet të merren detyrimisht edhe mendimet e dy anëtarëve.

Tutje, avokati Berisha shtoi se nuk kishte vërejtje konkrete, por vërejtje procedurale.

Seanca e sotme lidhur me këtë rast u ndërpre pasi që kryetari i trupit gjykues kishte të planifikuar në sesionin e pasdites një seancë tjetër.

Seancat lidhur me këtë çështje penale do të mbahen në muajt në vazhdim në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Prishtinës.

Lidhur me këtë rast, KALLXO.com më 16.02.2021 kishte bërë një hulumtim në të cilin shpërfaqte mangësitë institucionale për të trajtuar rastin në Gjykatë për nga aspekti kohor.

Në këtë intervistë, atë kohë ishte deklaruar bashkëshorti i të ndjerës, i cili kishte treguar momentet e para të keqësimit të gjendjes së bashkëshortes së tij.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, në cilësinë e mjekëve më 20.01.2016, në Prishtinë, në QKUK – KGJO, me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore, në veprimet e tyre me dashje të mundshme, të vetëdijshëm se me veprimet e tyre mund të sjellin deri te vdekja e pacientit, kanë përdorur haptazi metoda të papërshtatshme të trajtimit dhe me atë rast kanë shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarës – tanimë të ndjerës S.F. nga Prishtina.

Sipas aktakuzës thuhet se e pandehura Vjosa Zejnullahu nuk ka kërkuar mendimin e mjekëve të tjerë për të vendosur nëse e dëmtuara duhet të trajtohet fillimisht në urgjencë apo në terapi intensive.

Ajo, sipas Prokurorisë, ka nënvlerësuar ankesën e pacientes për reagimin ndaj transfuzionit të gjakut dhe vazhdoi me dhënien e gjakut, e njëjta ka anashkaluar konsultimin me transfuziologun, megjithëse e dinte se përkeqësimi i gjendjes së pacientes ka ndodhur pas transfuzionit të gjakut, kur ajo e ka dërguar pacienten në Qendrën Urgjente nuk ka dërguar edhe qesen me gjak për të parë se cili gjak i është dhënë të dëmtuarës duke ditur faktin që kemi grupe të ndryshme gjaku por e shkatërroi si provë kryesore.

Tutje sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri i dytë Selman Demolli dhe e pandehura e tretë Myzeine Muja, nuk kanë vepruar sipas protokolleve standarde për trajtimin e pacientit sepse nuk kanë dhënë rekomandime për konsultim me transfuziologun pasi që të dëmtuarës i është përkeqësuar gjendja dukshëm gjatë marrjes së gjakut në atë mënyrë të gjithë ata nuk kanë ndërmarrë veprime për trajtimin e pacientes me anti-reaksion pastaj japin konkluzionet e gabuara, duke vendosur që në vend që të thërrisnin për konsultë me transfuziologun, kanë thirrur neurologun, të pandehurin e katërt Bashkim Sheholli.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ndonëse i pandehuri i katërt Bashkim Sheholli, i cili nuk ishte mjek kompetent për këtë rast, urdhëroi diçka tjetër që nuk ishte në përputhje me protokollin, duke rekomanduar dhe të bëhet CT e trurit të pacientes, duke i anashkaluar edhe të pandehurit e tjerë, konsultë me transfuziologun, ndërsa të gjithë si ekip nuk rekomandojnë mbajtjen e qeses me gjak të cilën e ka marrë e dëmtuara për analiza të mëtutjeshme, ku në atë rast gjendja përkeqësohet dhe vdes e dëmtuara.

Për këto veprime Prokuroria të pandehurit i akuzon se secili prej tyre individualisht ka kryer veprën penale – trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor.