Foto-ilustrim

Gjykatësja e sëmurë, shtyhet sërish seanca në rastin e vrasjes në restorantin “Shega”

Seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen në restorantin “Shega” në Milloshevë të Obiliqit është shtyrë për shkak të mungesës së anëtares së trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj.

Mungesën e gjyqtares e arsyetoi kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, Sipas tij, gjyqtarja mungon për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Në ngjarjen tragjike që kishte ndodhur më 2 maj të vitit 2014 në restorantin “Shega” ishin vrarë Naim Gërvalla e Lutfi Saraçi.

Të plagosur kishin mbetur edhe babë e bir, Besim dhe Besart Istrefi, të cilët rreth një vit më vonë u akuzuan nga Prokuroria në lidhje me atë rast.

Sipas aktakuzës, ngjarja tragjike kishte ndodhur pasi Jeton Saraçi, i ulur në tavolinë me Adem Dautajn dhe tani të ndjerët Lutfi Saraçi e Nazim Gërvalla, kanë filluar me kërcënime e tone të larta ndaj kamerierëve të cilët kishin filluar mbylljen e restorantit.

Aktakuza përshkruan se pas këtyre kërcënimeve kishte filluar konflikti në mes tyre dhe Besim e Besart Istrefit, konflikt pas të cilit ishin shkaktuar vrasjet dhe plagosjet.

Në lidhje me këto akuza gjatë vitit 2018 Gjykata e Prishtinës pronarët e restorantit i kishte dënuar, ndërsa Jeton Saraçi ishte liruar

Gjykata e kishte dënuar Besim Istrefin me 7 vite burgim, ndërsa Besartin me 5 vite e katër muaj.

Të pakënaqur me ketë vendim mbrojtësit e të akuzuarve që ishin dënuar si dhe prokurori i shtetit kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit pas vlerësimit të lëndës gjeti se vendimi i marrë është në kundërshtim me Kodin e procedurës penale.