Gjykatësit nga veriu vazhdojnë punën në jug të Mitrovicës
Gjykatësit e Gjykatës Themelore në pjesën veriore të Mitrovicës janë duke vazhduar punën e tyre në objektin e gjykatës në jug.
Kjo ka ndodhur pasi të njëjtit e kanë pasur të pamundur të kalojnë në veriun e vendit për shkak të barrikadave që u vendosën gjatë natës së mbrëmshme në Lagjen e Boshnjakëve dhe tek Dudi i Kërshit.
Lajmi është konfirmuar për KALLXO.com nga nënkryetari i kësaj gjykate, Bekim Veliqi.
Madje ai ka thënë se arsyeja tjetër pse nuk kanë mundur të vendosen në objektin e tyre është edhe vendosja e disa grupeve pas barrikadave.
“Lajme të pavërteta nuk është puna që jemi zhvendosë por kemi pasë probleme me shku në objektin e Gjykatës në veri, prej barrikadave, pas barrikadave i ki grupet e tjera. Këtu është problemi, siguri nuk kemi pasë, kjo është çështja” – ka thënë ai.
Tutje Veliqi ka treguar se në objektin e jugut janë vendosur një pjesë e gjyqtarëve që kanë për të trajtuar raste më me urgjencë.
“Nuk është puna që jemi ndalë në objektin në jug, jemi një pjesë e gjyqtarëve që kemi raste urgjente, çështje penale ato jemi duke i përfundu, jo që jemi vendosë në jug. Nuk është qëllimi me u vendosë më jug, por po presim sot e këqyrim tani” – tha ai.
Sipas nënkryetarit, punëtorët e kësaj gjykate kanë qenë të gatshëm që të vendosen në veri, mirëpo kjo i është pamundësuar.
“Nuk kemi pasë mundësi se të gatshëm kemi qenë secili punëtor me shku në pjesën veriore, kemi provu, barrikadat janë, rrugët janë të bllokuara, si prej pjesës së Zveçanit si prej Lagjes së Boshnjakëve” – është shprehur Veliqi.
Ai tutje tregoi se kanë provuar dy rrugët ku janë të vendosura barrikadat për të kaluar në objektin ku ata punojnë dhe se janë në kontakt me Policinë e Kosovës.
Barrikada të reja te Lagjja e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan