
Çekani i drejtesise - Ilustrim
Gjykatësit ndëshkohen nëse përdorin gjuhë të papërshtatshme në rrjetet sociale
Sjellja e gjykatësve në Republikën e Kosovës është e rregulluar me Kodin e Etikës për gjykatat. Ky dokument parasheh rregulla strikte mbi të cilat gjykatësit sillen brenda sistemit dhe në publik.
Rregullativa e etikës parasheh kufizime për jetën publike të gjykatësve, përfshirë hapësirat ku ata qëndrojnë, personat që mund t’i takojnë e deri te gjuha të cilën ata e përdorin në gjykime dhe në publik.
Të dhënat tregojnë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka vendosur që gjykatësit mund t’i përdorin rrjetet sociale mirëpo gjatë përdorimi të tyre ata duhet të respektojnë Kodin e Etikës.
Në procedurat disiplinore që KGJK i ka zhvilluar evidentohen edhe situata ku gjykatësit janë ndëshkuar për një koment në rrjetet sociale.
Më 31.03.2024 në media ishte publikuar një lajm që shpërfaqte një veprim të një burri, i cili nuk e kishte lënë bashkëshorten e tij të futej në shtëpi pasi ajo kishte dalë për iftar me kolegët e saj.
Mirëpo ajo çka e kishte karakterizuar këtë lajm ka qenë një koment i cili ishte bërë nga gjyqtari për kundërvajtje i Gjykatës së Ferizajt, Bahri Salihu.
Salihu në komentin që kishte bërë në Facebook thotë që nuk miraton shëtitjet e grave në iftare, duke shtuar që gruaja nuk duhet ta ngushtojë burrin pasi që duhet t’i ketë mendët.
“Edhe unë nuk e kisha miratu këtë shëtitje të gruas nëpër iftare të hamamit”- është vetëm një pjesë e komentit që Bahri Salihu e kishte lënë në lajmin e publikuar në faqen e KALLXO.com në Facebook.
Më 17.04.2024 pas raportimit në media, KGJK ka nisur procedurë disiplinore ndaj gjyqtarit Salihu.
Ndërsa pasi që autoriteti kompetent e në këtë rast kryetari i Gjykatës së Ferizajt e kishte vlerësuar se janë përmbushur elementet për inicimin e procedurës disiplinore ai i kishte dërguar kërkesë me shkrim Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Më 07.06.2024, sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve, kryetari i Gjykatës së Ferizajt ka konsideruar se ka bazë të mjaftueshme që veprimet e gjyqtarit Bahri Salihu të trajtohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Për ta hetuar rastin, KGJK duhet ta formojë një panel hetimor nga tre gjyqtarë të një gjykate tjetër, në afat prej jo më larg se 15 ditë prej kur është pranuar kërkesa për inicimin e procedurës disiplinore.
Ky panel mbledh prova dhe u jep mundësinë palëve që të përgjigjen në pretendimet e ngritura.
Këto hetime të panelit mund të zgjasin deri në pesë muaj.
Ndërsa më 19.09.2024 KALLXO.com ka raportuar se Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 04.07.2024 i ka shqiptuar vërejtje me shkrim gjyqtarit Bahri Salihu.
Sipas vendimit të KGJK-së është arritur marrëveshja vullnetare për pranimin e përgjegjësisë disiplinore me gjyqtarin Bahri Salihu.
“Aprovohet marrëveshja vullnetare për pranimin e fajësisë. Bahri Salihu është përgjegjës për shkelje disiplinore… Dhe i shqiptohet sanksion disiplinor vërejtje publike me shkrim”- thuhet në vendimin e KGJK-së.
Sipas vendimit të KGJK-së paneli hetimor i themeluar me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës më 14.06.2024 i ka paraqitur KGJK-së raportin mbi hetimin për këtë lëndë disiplinore si dhe marrëveshjen vullnetare për pranimin e fajësisë në mes të panelit hetimor dhe gjyqtarit Bahri Salihu.
Tutje sipas vendimit të KGJK-së, Këshilli më 04.07.2024 ka caktuar dhe mbajtur seancën dëgjimore për të shqyrtuar raportin hetimor dhe marrëveshjen vullnetare për pranimin e fajësisë të arritur mes gjyqtarit të Gjykatës Themelore të Ferizajt, Bahri Salihu dhe panelit hetimor.
Gjithnjë sipas vendimit të KGJK-së, nga raporti hetimor u vërtetua fakti se gjyqtari Bahri Salihu ka bërë shkelje disiplinore kur në rrjetin social Facebook, te portali KALLXO.com, në lajmin me titull “Doli në iftar me kolegët e punës burri nuk e lejoi të hyjë në shtëpi”, ka komentuar me tekstin si: “ku me gjet kësi burra në Kosovë! Edhe une nuk e kisha miratu këtë shëtitje të gruas nëpër iftare të hamamit. Gruaja duhet me pasë mend vet dhe mos me ngushtu as burrin. Çfarë bërlloga kam unë në punën ku punoj, kurrë nuk e kisha lënë grua askund e lëre më në iftar të hamamit, se janë tranu krejt shqiptarët. Mbanë more fenë qysh ka qenë para luftës se mas luftës nuk është tu pas hjeshi asgjë”.
Sipas vendimit të KGJK-së, me këtë veprim gjyqtari ka kryer shkelje disiplinore të përcaktuar me nenin 5 par. 1 lidhur me nenin 2.15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili parasheh: “përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës ose mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e gjyqësorit”.
“Gjatë procedurës tek paneli hetimor, subjekti i hetimit dhe paneli hetimor kanë arritur marrëveshje vullnetare me të cilën subjekti i hetimit gjyqtari Bahri Salihu ka pranuar përgjegjësinë disiplinore me të cilën është ngarkuar, si dhe është pajtuar me sanksionin disiplinor “vërejtje publike me shkrim”, sipas nenit 5 par. 1 dhe 2 pika 2.15 të Ligjit Nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.” – thuhet në vendimin e KGJK-së.
“KGJK, vlerësoi se marrëveshja vullnetare për pranimin e fajësisë e lidhur në mes të subjektit të hetimit gjyqtari Bahri Salihu dhe panelit hetimor, së bashku me dakordimin e tyre për llojin e sanksionit disiplinor të përcaktuar me nenin 7 par. 1 pika 1.2 të Ligjit Nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i përmbush të gjitha kushtet ligjore, është i drejtë dhe në proporcion me shkeljen disiplinore të tij, andaj si të tillë edhe e aprovoj.” – thuhet tutje në vendimin e KGJK-së.
Pas vërejtjes së shqiptuar me shkrim nga KGJK, KALLXO.com ka kontaktuar gjyqtarin Salihu për të marrë një përgjigje lidhur me vërejtjen me shkrim të shqiptuar nga KGJK. Salihu tha se nuk do të ankohet në Gjykatën Supreme për vendimin e KGJK-së.
“Po, jam në dijeni, jo s`kam kurrëfarë komenti, Jo, jo, jo absolut (lidhur me apelimin)”- tha gjyqtari Salihu për KALLXO.com.
Në këtë LINK mund ta gjeni vendimin e plotë të KGJK-së ndaj Bahri Salihut.
Historiku
Një lajm në KALLXO.com i publikuar më 31.03.2024 shpërfaqte një veprim të një burri, i cili nuk e kishte lënë bashkëshorten e tij të futej në shtëpi pasi ajo kishte dalë për iftar me kolegët e saj.
Detaje më shumë lidhur me lajmin mund t’i gjeni duke klikuar KËTU.
Në këtë lajm të publikuar në Facebook të KALLXO.com, një koment e kishte bërë edhe gjyqtari për kundërvajtje i Gjykatës së Ferizajt, Bahri Salihu.
Salihu në komentin që kishte bërë në Facebook thotë që nuk miraton shëtitjet e grave në iftare, duke shtuar që ‘gruaja nuk duhet ta ngushtojë burrin pasi që duhet t’i ketë mendët’.
Salihu në biografinë e tij, e cila është publike në faqen e Gjykatës së Ferizajt, del të ketë qenë prokuror në Ferizaj nga viti 2012 deri në vitin 2013.