Gjykatësi vë në pikëpytje vlefshmërinë e aktakuzës për keqpërdorim të kartelave

Gjykata e Prishtinës nuk e ka të qartë nëse një aktakuzë është ngritur brenda afatit ligjor.

Këtë shqetësim e shprehu sot gjykatësi, Hamdi Ibrahimi, në seancën ku po mbahej fjala përfundimtare lidhur me këtë rast.

Prokuroria po e akuzon Arbnor Morinën se ka keqpërdorur kartelat bankare të personave të ndryshëm duke porositur laptopë, telefona, kompjutera.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja e rastit, Besa Limani tha se konsideron se është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

“Pas përfundimit te shqyrtimit gjyqësor, konsideroj se është vërtetuar gjendja faktike, që i pandehuri ka kryer veprën penale që i vihet në barrë, sipas aktakuzës se ndryshuar dhe plotësuar”, tha ajo.

Ajo më tej tha se i pandehuri është mbrojtur në heshtje në gjykatë, mirëpo në Prokurori kishte deklaruar se një person i panjohur ka punuar nga kompjuteri i tij. Këtë pasi që ai i kishte dërguar linqe tek të cilat i pandehuri ka aplikuar.

Në fjalën përfundimtare të mbrojtësit të të akuzuarit, Avokati Xhafer Maliqi, i propozoi gjykatës që të merr aktgjykim refuzues dhe hedh aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, si dhe të pushohet procedura penale ndaj të pandehurit Arbnor Morina.

Prokurorja e rastit, Besa Limani nuk u deklarua lidhur me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të të akuzuarit.

Ndërsa anëtari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi, i përkujtoj prokurores se këtu ka një problem shumë të madh pasi që kemi të bëjmë me pretendime se aktakuza është ngritur jashtë afatit.

Ai e pyeti atë nëse ka ndonjë sqarim se kjo aktakuzë është ngritur pas kalimit të afatit, si dhe nëse ka ndonjë parashtresë që është kërkuar afat shtesë.

Prokurorja e rastit, Besa Limani, tha se aktakuza është ngritur nga Fikrije Fejzullahu dhe se ajo në shkresat e lëndës nuk posedon diçka të tillë.

Shpallja e vendimit të Gjykatës lidhur me këtë rast është caktuar të bëhet ditën e nesërme me 25 shtator.

Arbnor Morina akuzohet në vazhdimësi prej kohës së pavërtetuar deri me 26 prill të vitit 2013, në bashkëkryerje me një person të panjohur, ka keqpërdorur kartelat bankare të personave të ndryshëm.

Këtë sipas aktakuzës e ka bërë, fillimisht duke falsifikuar një letërnjoftim në emër të Bekim Thaqit e pastaj duke hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin kompjuterik ka arritur tu merr identitetin e kartelave bankare e të cilat i ka vënë në përdorim, ashtu që përmes tyre ka porositur sende të ndryshme si laptopë, telefona, kompjuterë etj. Më këtë u ka shkaktuar humbje firmave të ndryshme.

“Me 26 prill të vitit 2013 Dogana e Kosovës, e vëren se disa porosi kanë arritur për pranues të dyshimtë dhe se pas hetimit nga ana e personave zyrtar, konstatohet se pranuesi kundërligjor është i akuzuari Arbnor” – thuhet në aktakuzë.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur me këtë rast.

Blerja online nga Malajzia e nxori para drejtësisë hakerin e dyshuar nga Kamenica