Foto: Kallxo.com (Arkiv)

Gjykatësi në konferencë, dështon gjykimi për formularët për statusin e veteranëve të UÇK-së

Në mungesë të anëtarit të trupit gjykues, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj dy zyrtarëve të MPMS-së, Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala, të akuzuar për keqpërdorime me formularët për njohjen e statusit të veteranëve të UÇK-së.

Sanije Rexha, gruaja e ish-komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha, i njohur si “Sandokani”, dhe Kushtrim Bala, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit.

Për KALLXO.com kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli tha se arsyeja e shtyrjes së kësaj seance ishte mungesa e anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Valon Kurtaj i cili gjendet në një konferencë.

Kurse seanca e radhës në këtë raste është caktuar me 16 nëntor.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Sanije Rexha dhe Kushtrim Balës, të cilët dyshohen se gjatë muajit tetor 2017, në bashkëveprim duke i shfrytëzuar pozitat e tyre kishin tejkaluar kompetencat dhe pa autorizim kishin marrë 31 formularë për njohje të drejtës së veteranit të luftës dhe kishin shkuar në Krumë të Shqipërisë që t’i plotësonin këta formularë nga 31 shtetas të Republikës së Shqipërisë.

Prokuroria thotë se formularët e mbushur në Shqipëri u dorëzuan në Kosovë në DIFDL të MPMS, dhe aplikuesit përfituan nga statusi i veteranit të luftës 133,280 euro në mënyrë të kundërligjshme,  edhe pse formularët nuk u dorëzuan personalisht nga aplikuesit.

Gjithnjë sipas prokurorisë, Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala si persona zyrtarë, më 16 janar 2019 në zyrën e Sanije Rexhës kishin ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren për pranimin e formularëve në DIFDL të MPMS Vlora Blakqori për pranimin e 4 formularëve të sjella nga Sokol Poga, shtetas i Republikës së Shqipërisë.

Prokuroria thotë se zyrtarja Vlora Blakqori pranoi formularët e panënshkruara nga aplikuesit ndërsa i akuzuari Kushtrim Balaj, i kishte fotokopjuar certifikatat origjinale duke ndalur për vete kopjet e certifikatave dhe certifikatat origjinale ia kishte kthyer Sokol Pogës.

Qëllimi i pranimit të këtyre dokumenteve ishte që të sigurohej përfitimi i statusit të veteranit të luftës dhe kompensimi për këtë status.

Prokurori kërkon ndërprerjen e pagesave për 31 veteranë të UÇK-së nga Shqipëria