Gjykatësi filmohet duke negociuar me palën një rast gjyqësor

Besfort Malsiu kishte vendosur ta incizonte gjyqtarin Riza Livoreka në zyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Kaçanikut.

Këtë vendim ai e kishte marrë pasi kishte dyshime rreth përfundimit që mund të kishte lënda për një kontest pronësor, e cila po gjykohej nga gjyqtari Livoreka.

Gjyqtari Livoreka shihet dhe dëgjohet duke i thënë Besfort Malsiut dhe babait të tij, Rakipit, të tërhiqen nga procesi gjyqësor dhe lëndën ta zgjidhin duke u marrë vesh me palën tjetër rreth një problemi pronësor që ata kishin 5 vite duke e pritur vendimin e gjyqtarit Livoreka.

Gjyqtari Riza Livoreka është filmuar duke takuar palët dhe duke u kërkuar të merren vesh përndryshe ai do gjykojë çështjen ashtu siç dëshiron ai dhe në disfavor të tyre.

Filmimi i regjistruar nga familja Malsiu dëshmon shumë.

Gjykatësi në vazhdimësi tregon se ka pasur takim me palën tjetër ndërsa u kërkon që çështjen ta zgjidhin me marrëveshje për shkak se me gjykatë çështja nuk do zgjidhet për shumë vjet.

Në fillim të takimit gjyqtari Livoreka u tregon se me mirë është të bëjnë marrëveshje jashtëgjyqësore.

“Kështu na, e kam caktu lëndën diku në tetor, e ka pru ekspertiza, tash me mujtë me bo marrëveshje është mirë, s`po ju them qysh se ishit miqësi, ishit të përzimë, ke dikush te unë e ishit goxha si shumë të përzimë… Tash ti po thu ata s`u dashtë me bo, unë po të them se ti është dashtë me e vetë kur ke hi, se ti s’kufizohesh me kërkon, ai në pjesën ma të madhe – dërrmuese, krejt kufizohet me pronën e vet, sot është dashtë me të thanë ai serbi: “Unë po ta shes tokën, po kojshinë duhet me e vetë”.

Gjyqtari vazhdon tutje duke thënë se do kalojnë 10 vite deri sa të zgjidhet çështja.

“Cili i pari duhet me vet, është rregull ajo, po qetash s’po hymë se me mujtë me bo marrëveshje është ma mirë, na ia kena çu ftesën avokatit, na mujna me ju ndihmu me bo marrëveshje. Po unë po të kallëzoj personalisht i thash hekne lëndën mos shkoni nëpër gjykata, se minimum po të them, minimumi nja 10 vjet keni me shku nëpër gjykata, se qashtu është duke shku procedura, sidomos qetash ma është përzi sistemi, është bo llugë, s’e di se çka është tuj ndodhë ma edhe qekjo pandemia që na ka shty…”, thotë gjyqtari Livoreka, i cili nga fundi i takimit është shumë më i prerë.

“O unë me ty jam t`u fol veç që e njoh Rakipin moti, se s’kisha fol hiç. Unë ta bij vendimin, s’e ki respektu të drejtën e përparësisë së blerjes, pesë pare s’i jap. Mirëpo, Rakipin e njoh jo mas luftës, se krejt njerëzit mas luftës m’kanë dalë dallaverxhi, po Rakipin e njoh prej para lufte me një aspekt krejt tjetër…”, potencon në fund gjyqtari Livoreka.

Situata do të bëhet edhe më e rëndë në fund të takimit, ku gjykatësi i paralajmëron familjen që në rast se ata nuk bëjnë marrëveshje ai do të vendosë që t’ua marrë pronën dhe ajo t’i takojë palës tjetër.

Sipas ligjit një paralajmërim i tillë nuk guxon të ndodhë deri në momentin final kur gjykata ta shpallë verdiktin.

Gjyqtari Riza Livoreka nuk ka pranuar të flasë para kamerës së emisionit “Kallxo Përnime”.

Ai ka thënë se nuk e komenton vendimin e tij dhe pret qysh po e vërteton Gjykata e Apelit.

Gjyqtari nuk e ka komentuar as takimin duke u ballafaquar me pamjet ku shihet ai duke folur për rastin me palën.

Riza Livoreka thekson se pala ka ardhur vetë, nuk i ka ftuar në zyrë ai, por e pranon se është dashur ta mbajë një shënim zyrtar por që s’e ka mbajtur ashtu qysh e thotë edhe ligji.

Familja Malsiu kishte blerë një pronë rreth 17 ari, e cila gjendet afër rrugës magjistrale Kaçanik-Ferizaj. Sipas pretendimeve, kjo tokë ishte blerë në vitin 2016 nga familja Malsiu përderisa në emër të tyre kishte dalë diku në vitin 2018. Pak muaj para se të dilte në emër të familjes Malsiu, një tjetër pronë e cila ndodhej ngjitur me atë të familjes Malsiu ishte blerë nga familja Tusha.

Rakip Malsiu thekson se gjyqtari e ka takuar djalin e tij Besfortin në një kafene dhe i ka ftuar në takim në zyrën e tij e po ashtu kishte dërguar edhe një mik te familjes tek ata.

“Ne kemi shkuar ne zyrën e gjyqtarit Livoreka sepse kemi pasur edhe një mik të familjes që e ka dërguar tek ne gjyqtari që të merremi vesh për lëndën me palën që na ka paditur duke pretenduar se ne është dashur t’i pyesim ata kur e kemi ble pronën”, tha Rakip Malsiu.

Besfort Malsiu pretendon se gjyqtari Livoreka i ka gjykuar ata me një ligj që nuk është ne fuqi që nga viti 2009.

“Kur e kam përkthye tokën, Avdi Tusha e ka ble një pronë afër meje aty dhe ka pretendu që ka te drejtën e parablerjes pasi e ka përkthye pronën disa muaj para meje dhe me ka bërë padi në Gjykatë dhe Gjykata e Kaçanikut ka qitë masë sigurie dhe unë asnjëherë nuk kam mundur ta shfrytëzoj pronën, dhe në fund na ka marrë pronën me një ligj të ish-Jugosllavisë”, theksoi Besfort Malsiu.

Për ta kuptuar të gjithë më mirë se a mund të zbatohet një Ligj i vitit 1981 në vitin 2021 ekipi i KALLXO.com ka intervistuar ish-kryetarin e Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, i cili ka gjykuar mijëra çështje civile deri më sot.

Gjyqtari Hasan Shala – Foto: KALLXO.com

“Për kontestet që kanë lindur pas vitit 2009 nuk mund të zbatohet më ligji i vjetër dhe për këto raste e drejta e parablerjes nuk mundet me ardhë në shprehje sepse ligji i ri nuk e parasheh në rastet e tilla”, theksoi Hasan Shala.

Ky kontest kishte lindur në vitin 2018, që nënkupton se ka lindur në kohën kur në Kosovë zbatohen ligjet e Republikës së Kosovës.

Ligji i të drejtave sendore në Kosovë, i zbatueshëm që nga viti 2009, e i cili të drejtën e parablerjes e njeh vetëm në rastet kur parashihet me ligj ose në rastet kur ajo kontraktohet në mënyrë shprehimore në mes të bashkëpronarëve, mirëpo çuditërisht gjyqtari Livoreka kishte pranuar që çështjen ta gjykojë me ligjin e vjetër për marrëdhëniet themelore juridiko-pronësore, i cili ishte nxjerrë në vitin 1981 e që i jepte të drejtë në parablerje personave që kanë prona fqinje apo pranë pronës që është duke u shitur.

Avdi Tusha nuk ka pranuar të flasë për emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai shkurt ka thënë se do flasë me avokaten e tij dhe do na kontaktojë përsëri mirëpo nuk ka thirrur më.

Pretendimet e palëve kemi tentuar t’i marrim nga avokatja e Avdi Tushës, Mimoza Kuka-Bushi, por as kjo nuk ka dashur të flasë para kamerës por nuk e ka mohuar se vajza e gjyqtarit Livoreka ka mbajtur praktikë për gati një vit në zyrën e saj.

“Praktikante ka qenë disa vite me para vajza e gjyqtarit në zyrën time, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje, tash e kemi marrë ankesën e familjes Malsiu që kanë bërë në Gjykatën e Apelit dhe po presim”, tha Kuka-Bushi.

Pasi avokatja e ka pranuar se vajza e gjyqtarit ka bërë praktikë në zyrën e saj këtë e ka konfirmuar edhe gjyqtari Livoreka.

E pikërisht kjo punë po shihet si ndikim në vendimin e gjyqtarit nga familja Malsiu pasi që vajza e gjyqtarit ka kryer praktikë tek avokatja e palës së kundërt.

Përveç rrugës gjyqësore familja Malsiu po pretendon se gjyqtari i çështjes Riza Livoreka kishte dërguar te kjo familje një mik të përbashkët, Sali Selmanin.

Salih Selmani kur u kontaktua nga emisioni në lidhje me këtë çështje as nuk e ka mohuar e as pohuar se gjyqtari Riza Livoreka e ka thirrur atë dhe e ka dërguar te familja Malsiu.

Ai ka thënë se është jashtë Kosovës dhe kur kthehet do na tregojë çka ka ndodhur.

Gjykatësi Livoreka, i cili u filmua duke diskutuar fatin e lëndës me palët, në asnjë moment nuk ka pranuar të flasë publikisht.

Mbikëqyrësi i tij është kryetari i Gjykatës së Ferizajt. Këtij të fundit i kemi adresuar një kërkesë për një intervistë mirëpo kryetari ka vendosur që përgjigjen ta kthejë vetëm me shkrim.

“Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, deri në pranimin e kërkesës tuaj për intervistë dhe sqarimit se ju posedoni një video incizim lidhur me gjyqtarin Riza Livoreka, nuk ka pranuar ndonjë kërkesë apo ankesë lidhur me këtë çështje, po ashtu kryetari i gjykatës nuk ka informacion lidhur me përmbajtjen e kësaj video incizimi siç pretendohet. Rrjedhimisht i njëjti nuk mund të deklarohet lidhur me këtë rast përderisa nuk ka informatat e nevojshme për të dhënë një sqarim të saktë, andaj luteni që në rast se vlerësoni se gjyqtari në fjalë ka bërë shkelje të detyrave, procedurës apo shkelje disiplinore, që këto pretendime t’i paraqitni në formë të shkruar, ndërsa kryetari i gjykatës i cili është autoriteti kompetent do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore bazuar në Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, thuhet ne përgjigjen e Gjykatës së Ferizajt.

Tash e pesë vite prona ka masën e sigurisë dhe nuk ka mundur të shfrytëzohet nga familja që e ka blerë dhe në fund të gjykimit gjyqtari Livoreka ka vendosur që prona t’i jepet familjes Tusha dhe paratë e blerjes kjo familje t’ia kthej familjes Malsiu.

Çështja ka shkuar në Gjykatën e Apelit me ankesën e familjes Malsiu, e cila nuk po pranon që pronën t’ia japë familjes Tusha.