Foto: KALLXO.com

Gjykatat u kthehen ngadalë punëve të zakonshme pas lehtësimeve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar se në pajtim me vendimin e Qeverisë dhe rekomandimet e IKSHP lidhur për zbutjen e masave lidhur me pandeminë COVID-19, mori vendim që të shtohen aktivitetet gjyqësore në situatën aktuale.

Në njoftim thuhet se gjykatat përveç rasteve urgjente të cilat janë trajtuar nga 13 marsi do të trajtojnë edhe rastet e tjera ku nuk është e nevojshme prezenca e palëve.

Ky vendim përmban 8 pika.

1) Shtohet aktiviteti i punës se Këshillit Gjyqësor te Kosovës dhe i te gjitha Gjykatave te vendit,

2) Kryetarët e Gjykatave të caktojnë gjyqtarët dhe stafin administrativ te nevojshëm për te realizuar veprimtaritë gjyqësore si dhe për të kujdestaruar për rastet e natyrës urgjente, të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve – paraburgosurit apo masave tjera, rastet e dhunës ne familje, masave tjera, si dhe rasteve tjera urgjente qe eventualisht mund te paraqiten,

3) Në këtë fazë gjyqtaret do të trajtojnë edhe rastet tek të cilët nuk është e nevojshme pjesëmarrja e palëve dhe publikut në procedurë.

4) Autorizohet Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit te Këshillit Gjyqësore të Kosovës të organizojë punën e Sekretariatit duke angazhuar sipas nevojës të gjithë stafin administrativ.

5) Në të gjitha rastet kur është e mundur dhe e lejuar me ligj, të punësuarit e sistemit gjyqësor aktivitetet dhe punën e tyre te e realizojnë nga vendet e tyre të banimit, përmes formave të ndryshme të komunikimit elektronik.

6) Njëri prind i cili duhet të kujdeset për fëmijën e vet, si dhe zyrtaret me sëmundje kronike mund të lirohen nga puna sipas kërkesës me shkrim të parashtruar tek mbikëqyrësi.

Në pikën e 7-të është paraparë që masat e tilla vlejnë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga ana e Këshillit e pika e 8-të ka paraparë që vendimi hyn në fuqi sot.

Kryesuesi i KGJK-së, SkenderÇoçaj, më 5 maj kishte thënë për KALLXO.com se ky këshill është duke shqyrtuar organizimin e aktiviteteve gjyqësore dhe në përputhje me vendimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë do të merret një vendim.