Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Gjykata vendos ta pezullojë vendimin e fundit të Qëndron Kastratit për riorganizimin e shkollave

Gjykata e Prishtinës ka marrë vendim që të shtyjë ekzekutimin e vendimit për fazën e tretë të ‘riorganizimit’ të shkollave në Komunën e Kamenicës.

Deri te ky vendim erdhi pas kërkesës së 25 prindërve nga fshatrat të cilat ishin prekur nga ky vendim.

Të njëjtit i kërkuan Gjykatës së Prishtinës që ta anulojë vendimin e fundit të Komunës së Kamenicës në të cilin parashihej riorganizimi i disa shkollave të fshatrave,  në Petroc, Topanicë, Karaqevë e Epërme, Karaqevë e Poshtme, Shipashnicë e Epërme, Hogosht.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, Gjykata pas shqyrtimit të kësaj kërkese ka vlerësuar se propozuesit kanë ofruar prova të besueshme të cilat vërtetojnë faktin se ekzistimi i vendimit do të mund t’i sillte dëme paditësit, dëm i cili vështirë do të riparohej.

Sipas Gjykatës së Prishtinës, janë përmbushur kushtet ligjore që të aprovohet propozimi i prindërve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit deri sa gjykata të vendos përfundimisht lidhur me ligjshmërinë e këtij vendimi.

Në tetor të vitit 2020 prindërit e nxënësve që ishin prekur nga riorganizimi kanë ushtruar padi ndaj Komunës së Kamenicës me ç’rast kanë kërkuar anulimin e vendimit të fundit të komunës si dhe kanë propozuar shtyerjen e ekzekutimit të këtij vendimi.

Më 9 shtator, Komuna e Kamenicës kishte marrë vendim që të vazhdonte me fazën e 3-të të riorganizimit të shkollave.

Sipas vendimit të marrë , 5 shkolla pritej të jenë pjesë e riorganizimit, shkollat në Petroc, Topanicë, Karaqevë e Epërme, Karaqevë e Poshtme, Shipashnicë e Epërme, Hogosht.

Mirëpo as ky vendim, sikurse dy vendimet e para nuk u përkrahën nga prindërit e nxënësve.

Megjithatë,  Kryetari i Komunës së Kamenicës kishte deklaruar që nuk do ta pezulloj pavarësisht kundërshtimeve.

 

 

Pavarësisht kundërshtimeve, Qëndron Kastrati vazhdon me riorganizim të shkollave në Kamenicë