Gjykata vendos për veterinerin e akuzuar se lëshoi dokumente për kafshë të kontrabanduara

Mexhid Haxhimusa, veterineri nga Ferizaj i cili akuzohej se ka keqpërdorur detyrën, është liruar nga akuza.

Bashkë me të është liruar edhe Artan Pajaziti, i cili akuzohej për mos lajmërim të veprës penale.

Prokuroria e akuzonte Haxhimusën ngase gjatë vitit 2016, në regjionin e Vitisë dhe Ferizajt është qasur pa autorizim në sistemin e identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve të Agjencisë së Veterinarisë dhe të Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Tutje, sipas aktakuzës, Haxhimusa ka lëshuar certifikata, numra identifikues dhe pasaporta të kafshëve, për të cilat e ka ditur se të njëjtat janë të kontrabanduara nga të akuzuarit Heset Shefkiu, Bekim dhe Daut Reçica (të cilët kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë në Prokurori).

Prokuroria pretendon se në këtë mënyrë ai ia ka mundësuar që të akuzuarve me këto dokumente që të transportojnë me kamionë kafshët e kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë së Veriut nëpër territorin e Republikës së Kosovës për në Republikën e Shqipërisë.

Prokuroria e akuzonte edhe Artan Pajazitin për shkak se nga muaji korrik 2016 deri në muajin nëntor 2016, në ordinancën e veterinarisë “Indriti”, në Ferizaj, ka qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale dhe nuk e ka lajmëruar.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast

Pasaportat e kafshëve e ulin në bankën e të akuzuarit veterinarin nga Ferizaj