Gjykata vendos për të dyshuarin Ridvan Ademi, i cili po kërkohej nga 16 janari

Ridvan Ademi i kërkuar tash e një kohë nga policia është arrestuar të shtunën në mbrëmje.

Gjatë ditës së sotme ndaj të njëjtit është mbajtur edhe seanca për masën e sigurisë. Prokuroria kishte kërkuar paraburgim për atë dhe vëllanë e tij në lidhje me ngjarjen që ka ndodhur më 16 janar, pra muajin e kaluar.

Siç mëson KALLXO.com, Gjykata e Prishtinës ka vendosur që ndaj Ridvan Ademit të caktohet masa e paraburgimit për 30 ditë ndërsa ndaj vëllait të tij masa e arrestit shtëpiak.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme për dyshimet e policisë ndaj Ridvan Ademit dhe vëllait të tij.

Të dy dyshohet se në orët e para të mëngjesit të 16 janarit kishin kryer veprat penale, kanosje, armëmbajtje pa leje si dhe dëmtim i pasurisë.

Policia kishte pranuar informacione me datën 16 janar për një rrahje në progres në një lagje në Podujevë.

Kur policia kishte arritur në vendngjarje ankuesi kishte treguar se dy të lartpërmendurit i kishin dëmtuar veturën e tij dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.

Rrugës për në stacion policor për të dhënë dëshminë për ngjarjen, ankuesi ishte ndaluar nga një veturë ngjyrë hiri në të cilën dyshohet se ishin vëllezërit Ademi.

Një zyrtar policor kishte dalë nga vetura me të cilën po shoqëronte ankuesin në stacion për të dhënë dëshminë dhe pretendohet se ishte kërcënuar me kallashnikov nga Ridvan Ademi.

Ai madje dyshohet se e kishte kërcënuar edhe me fjalë dhe ishte larguar me nxitim në drejtim të panjohur.

Që nga 16 janari policia është vënë në ndjekje të Ridvan Ademit.

I njëjti është i njohur për organet e rendit dhe drejtësisë në Kosovë.

Ai ishte arrestuar edhe më 11 korrik të 2019 nga autoritetet belge pasi që i njëjti ishte i kërkuar nga Policia e Kosovës. Dyshimet ishin për grabitje.

Arrestohet Ridvan Ademi dhe vëllai i tij