Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës

Gjykata vendos për rreshterin e dyshuar për sulm ndaj koleges së tij police

Gjykata e Pejës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit S. H., rreshter në Policinë e Kosovës, i dyshuar për vepër penale lëndim i rëndë trupor dhe kanosje.

Sipas komunikatës, të pandehurit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, gjatë së cilës kohë i njëjti nuk mund të largohet nga shtëpia e tij përveç kur kjo është e domosdoshme për përmbushjen e nevojave jetësore dhe vetëm me lejen e gjykatës.

Lidhur me këtë rast Prokuroria e Pejës ka kërkuar që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Mirëpo gjykata të pandehurit i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

“Të pandehurit iu caktua masa e arrestit shtëpiak pasi që gjyqtari i procedurës paraprake, konstatoi se pretendimet e prokurorit të shtetit se ndaj të pandehurit duhet të caktohet masa e paraburgimit si masë më e rëndë izoluese për të penguar rrezikun e ndikimit në dëshmitar dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale nuk qëndrojnë, pasi gjykata është e bindur se edhe me masën e arrestit shtëpiak mund të arrihet pengimi i ndikimit në të dëmtuarën si dhe mund të pengohet rreziku i përsëritjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

IPK: Rreshteri nga Peja sulmoi dhe kanosi policen