Gjykata vendos për policin e dyshuar se manipuloi prova të vrasjes së Ivanoviq

Gjykata ka vendosur që të caktojë masën e paraburgimit për një muaj ndaj Rade Basaras, polici i cili u arrestua dy ditë më parë në një aksion të gjerë të policisë në veri të Mitrovicës.

Aksioni i dy ditëve më parë, u realizua pas provave dhe dëshmive që kishte mbledhur Prokuroria Speciale se edhe Rade Basara është i involvuar në rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Në fakt, polici Basara dyshohet se ka manipuluar me provat në rastin e vrasjes së Ivqanoviqit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.B për shkak të veprave penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Dje u mbajt seanca për paraqitjen e masës për paraburgim për të njëjtin zyrtar policor për shkak se prokuroria ka konstatuar se i njëjti nëse gjendet në liri mund të arratiset dhe nuk do të i përgjigjet drejtësisë për veprimet e tij.

Seanca është mbajtur me dyer të mbyllura

Dy ditë më parë, forca të mëdha policore ia kishin mësyrë veriut të Mitrovicës në kërkim të dy zyrtarëve policor të cilët dyshohen se kishin manipuluar me provat për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq.

Polici Basar ishte arrestuar nga policia ndërsa Shefi i Operativës në veri, Zhelko Bojiq nuk është gjetur në shtëpinë e tij.

Bojiq njihet si një bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë me tashmë të kërkuarin ndërkombëtarisht, Milan Radojiqiq.

Në një aksion muaj më parë, Radojiqiq nuk ishte gjetur në shtëpi ndërsa ishte lajmëruar nga arratia duke thënë se nuk do të dorëzohet.

Deri më tani ende nuk është zbardhur se kush ishte dorasi për vrasjen e Ivanoviq ndërsa Prokuroria Speciale ka intervistuar edhe dhjetëra dëshmitarë.