Gjykata vendos për personat e dyshuar për falsifikim të diplomave

Gjykata e Prizrenit u ka caktuar sot masën e paraburgimit pesë personave që nga Prokuroria po dyshohen se kanë shitur diploma të shkollave të mesme.

Dje Policia e Kosovës bëri arrestimin e pesë personave, një gruaje dhe katër burrave nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale falsifikim i dokumenteve.

KALLXO.com merr vesh se pas arrestimit të të dyshuarve me kërkesën e Prokurorisë është mbajtur seanca dëgjimore me ç ‘rast Gjykata e Prizrenit vendosi që të aprovoj kërkesën e Prokurorisë lidhur me caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Të mërkurën përmes një aksioni Policia arrestoi pesë persona, të cilët me vendim të prokurorit kompetent u dërguan në mbajtje për 48 orë.

“Policia e Kosovës me njësitë kompetente për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, pas hetimeve disa mujore dje me datën 09.10.2019, në lokacione të ndryshme në rajonin e Prizrenit dhe Prishtinës, ka arrestuar pesë persona të dyshuar për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.  Pesë personat e dyshuar tani më të arrestuar, duke vepruar në grup në një periudhë kohore, me veprimtari ilegale të shtrirë në disa komuna dhe rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës në këmbim të pagesave në tarifa të ndryshme, kanë siguruar dokumente zyrtare të falsifikuara–diploma të aftësimit profesional, diploma të shkollimit të mesëm e të tjera, për persona të ndryshëm”, thuhet në komunikatë.

Tutje Policia ka thënë se për arrestimin e të dyshuarve janë bërë hetime me muaj dhe se në mesin e të arrestuarve janë 4 burra dhe një grua.

KALLXO.com ka raportuar  ditë më parë në lidhje me këtë aksion.

Shkatërrohet rrjeti i falsifikimit të diplomave