Gjykata vendos për Nagip Krasniqin

Gjykata e Prishtinës ka caktuar një muaj paraburgim për kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sot në departamentin special të gjykatës themelore është mbajtur seanca dëgjimore rreth kërkesës së Prokurorisë për caktim e masës së sigurimit të prezencës se të dyshuarit në procedurë.

KALLXO.com raportoi pak minuta më heret se Krasniqi u nxor i prangosur nga gjykata.

Të mërkurën, arrestimi i Krasniqit është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit.

Në njoftim thuhej se, Njësia e Veçantë e Hetimeve po ashtu dje ka bastisur zyrën e të pandehurit N.K. në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura.