Prapa grilave - Ilustrim

Gjykata vendos për masën e sigurisë ndaj të dyshuarit 'Ciprra'

Besim Hajdari, i njohur me nofkën “Ciprra”, pritet të qëndrojë 30 ditë në paraburgim, kjo pasi Gjykata e Prishtinës e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit, të pandehurit me dyshimin e bazuar për veprat penale, vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Në arsyetimin e Gjykatës, thuhet se arsyeja e caktimit të paraburgimit ndaj të njëjtit, është bërë sepse ekziston rreziku i ikjes, pasi thuhet se i njëjti ka ikur nga vendngjarja, nuk i është përgjigjur asnjëherë ftesave të policisë dhe është arratisur deri sa nuk është arrestuar nga policia.

Sipas vlerësimit të Gjykatës thuhet se, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 6 tetor 2020, rreth orës 18:15, në rrugën “19 Qershori”, i pandehuri deri sa ka qenë duke e drejtuar veturën e tij në rrugën e lartëcekur, ka penguar në shiritin qarkullues të dëmtuarin Fitim Sylejmani.

Me këtë thuhet se, i pandehuri del nga vetura me armë në dorë, duke iu afruar veturës së të dëmtuarit Fitim Sylejmani dhe e kërcënon, kurse i dëmtuari Hajdar Gimolli duke kaluar atypari, ndërhyn për t’a larguar të pandehurin, duke i thënë: “qysh po don me e vra njerin, t’u qorrofshin sytë” dhe në këtë rast i pandehuri ia drejton armën të dëmtuarit dhe gjuan tri herë në të dëmtuarin Gimolli, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore.

Tutje në vendimin e Gjykatës thuhet se, i pandehuri Hajdari dyshohet për një numër relativisht të madh të veprave penale, kryesisht vepra të rënda. Sipas arsyetimit të Gjykatës i pandehuri mund t’i përsërisë këto vepra penale të njëjta apo të kryejë vepra të ngjashme. Sipas vendimit të Gjykatës, të pandehurit i llogaritet paraburgimi nga data 16 prill 2021 deri më datën 15 maj 2021.