FOTO DIBRAN HOXHA-FCB

Gjykata vendos për masën e sigurisë ndaj Dibran Hoxhës - "Kobra"

Pas përleshjes që ka ndodhur ditë më parë, ku i përfshirë ishte edhe Dibran Hoxha i njohur si “Kobra”, Gjykata Themelore e Prizrenit gjatë ditës së sotme ka vendosur që të njëjtit t’i shqiptoj masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Përveç Kobrës edhe ndaj një personi tjetër L.B., është caktuar një masë, ajo e arrestit shtëpiak për të njëjtin rast.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Prizrenit, ‘Kobrës’ i është shqiptuar masa për shkak të veprës penale lëndim i rëndë trupor ndërsa L.B., i është shqiptuar masa për veprën penale kanosje.

Gjithashtu në njoftim përshkruhet edhe ngjarja që ka ndodhur mbrëmjen e 2 prillit në Prizren.

Sipas gjykatës, i pandehuri L.B., po atë natë në Prizren, e ka kanosur Dibran Hoxhën pas në mosmarrëveshje që kishin pasur dy javë më parë. I njëjti i ishte afruar te tavolina Dibran Hoxhës dhe i ishte drejtuar me fjalë kërcënuese seriozisht e kanos “qu dil jashtë se t’i derdhi trutë” dhe kishte vendosur dorën në çantën e tij, me ç ’rast ‘Kobrës’ i kishte shkaktuar ankth dhe frikë.

Kurse më datën, kohën dhe vendin e njëjtë, i pandehuri Dibran Hoxha i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore L.B., në atë mënyrë që pasi që i njëjti i kërcënohet me fjalët e theksuara më lartë, në shenjë revolte e godet me grusht në fytyrë të pandehurin L.B., dhe pas rrëzimit në tokë e godet edhe me shqelma disa herë, me ç ’rast me këto veprime i shkakton lëndime të rënda trupore, të cilat janë konstatuar edhe në raportin mjekësor.

Gjykata në Prizren ka theksuar se të gjitha pretendimet dhe faktet do të vlerësohen në fazën e mëtejme të procedurës penale.

Lidhur me caktimin e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit L.B., sipas bindjes dhe vlerësimit të gjykatës, do të parandalohet që të kryej ndonjë vepër tjetër penale apo të përsërisë veprën e kryer penale.

Gjykata është e mendimit dhe ka ardhur në përfundim se masa e caktuar ndaj të pandehurit, do të jetë e mjaftueshme për sigurimin e pranisë së të njëjtit, dhe e mjaftueshme për zhvillimin e mbarëvajtjes së procedurës penale dhe se çdo shkelje e kësaj mase, do të ketë edhe pasoja për të njëjtin dhe ndërrimin e masës me caktimin e paraburgimit.

Kurse, me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit Dibran Hoxhës, Gjykata ka pasur parasysh peshën e veprës penale, po ashtu, nëse merret parasysh sjellja e mëparshme e të pandehurit D.H., dhe karakteristikat tjera personale të tij, pasi që i njëjti është recidivist, kryerës i mëparshëm i veprave penale të kësaj natyre, por edhe të natyrave më të rënda dhe për të cilat është gjykuar në mënyrë meritore nga ana e kësaj gjykate, shton rrezikun që nëse ndaj tij nuk caktohet paraburgimi, atëherë ai mund ta përsërisë veprën e kryer penale, mund ta përfundoj atë, duke i shkaktuar të dëmtuarit pasoja edhe më të rënda.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me incidentit të ‘Kobrës’ të mbrëmjes së 2 prillit.

Arrestohet Dibran Hoxha – ‘Kobra’